Pranon se u Pagua deri 1000 Euro për Paraqitje me Emër të Rremë

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës vazhdoi shqyrtimit gjyqësor kundër të akuzuarve për vënien në lajthitje të bankës

Në seancën e fundit e cila ishte mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar dy nga katër të akuzuarit Florim Zeka dhe Ali Nurqaj kishin kërkuar mundësinë për të biseduar lidhur më arritjen e një marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe kompensimin e dëmit palës së dëmtuar.

Mirëpo në gjykatë trupi gjykues u njoftua nga ana e prokurorit Haki Geci se kjo marrëveshje nuk është arritur.

“Deri në ditën e sotme nuk është arritur marrëveshje pasi që unë i kam ftuar edhe përfaqësuesit e palës së dëmtuar e edhe mbrojtësin e të akuzuarit të parë, jam në dijeni që ata kanë pasur një bisedë që të arrihet marrëveshje, por te unë nuk kanë ardhur dhe këtu ka mbetur çështja“, njoftoi prokurori Haki Gecaj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Florim Zeka, avokati Ruzhdi Maloku shtoi se ai kishte shkuar, mirëpo përfaqësuesi i palës së dëmtuar sipas tij nuk kishte qenë aty.

Ndërsa mbrojtësi i palës së dëmtuar avokati Skender Musa tregoi para gjykatës se kërkesa e palës së dëmtuar ishte shumë e qartë që të bëhet kompensimi prej 173,944 eurove ashtu siç është në aktakuzë, mirëpo sipas tij ata nuk ishin kontaktuar nga asnjëri prej të akuzuarve, e as nga mbrojtësit e tyre.

Avokati Skender Musa si mbrojtës i palës së dëmtuar kërkoi që shqyrtimi gjyqësor të vazhdojë aty ku kishte mbetur.

Në anën tjetër edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ali Nurqaj, avokati Sheremet Ademi deklaroi se nuk kishin asnjë vërejtje për arritjen e marrëveshjes, ndërsa sa i përket të mbrojturit të tij ai ishte i gatshëm që në çdo kohë të kompensojë shumën prej 1000 eurove si dëm të cilin ai personalisht e kishte shkaktuar.

Pas kësaj kryetari i trupit gjykues Avni Mehmeti njoftoi se gjykimi do të vazhdojë aty ku ka mbetur me marrjen në pyetje të të pandehurve.

Ali Nurqaj ishte i pandehuri i radhës që e dha mbrojtjen e tij para gjykatës.

Sipas aktakuzës, Ali Nurqaj ishte personi që e kishte luajtur rolin e të dëmtuarit Avdi Fekaj gjatë kohës kur janë tërhequr paratë në bankë.

“Florim Zekaj si ndërmjetës dhe Ali Nurqaj kinse ishte Avdi Fekaj, pronar i kursimeve të vjetra devizore, kanë vënë në lajthim personelin  e bankës duke siguruar paraprakisht një letërnjoftim të falsifikuar të Serbisë me foto të Ali Nurqajt, ndërsa të dhënat e personit të dëmtuar Avdi Fekaj “, thuhet në aktakuzë.

Pyetjes së të mbrojturit të tij se a kishte kërkuar nga ai i pandehuri tjetër Florim Zeka që të kryejë ndonjë punë, Ali Nurqaj iu përgjigj me fjalët se Zeka i kishte kërkuar që të nënshkruajë disa dokumente.

“Prej meje Florimi ka lyp veç me nënshkru, unë nuk e di se çfarë kam nënshkruar dhe për çfarë ka kërkuar nënshkrimin tim“, tha i pandehuri Ali Nurqaj.

Ai gjithashtu tregoi se kishte shkuar disa herë në Vranjë për paratë e Avdi Fekajt dhe se i pandehuri Florim Zeka i kishte dhënë disa letra duke i thënë “shkruaj këtu emrin dhe mbiemrin e Avdisë“.

Sipas deklaratës se Ali Nurqajt, përveq Florim Zekës në kohën kur kanë shkuar në bankë për të marrë paratë ata i kishte shoqëruar edhe një njeri me emrin Zejdi për të cilin tha se nuk e njihte dhe se ai i kishte marr paratë.

Ali Nurqaj para gjykatës tha se nuk e kishte njohur asnjëherë Avdi Fekajn, ndërsa emrin e tij për herë të parë e kishte dëgjuar nga i pandehuri Florim Zeka. Ai shprehu edhe keqardhjen për këtë ndaj të dëmtuarit dhe tregoi se ishte i gatshëm t’ia kompensonte shumën prej 1000 eurove të dëmtuarit duke shtuar se nëse ishte e nevojshme do ta shiste edhe bagëtinë e tij.

Me tutje i pandehuri tregoi në gjykatë se për paraqitjen e tij në vend të Avdi Fekës ai paguhej prej 500 deri në 1000 euro.

Gjithashtu Ali Nurqaj para gjykatës tregoi se i pandehuri tjetër Florim Zeka e kishte ditur se ai nuk është Avdi Feka, pasi që çdo herë e kishte thirrur me emrin Ali Nurqaj.

Kurse Florim Zeka i kishte thënë atij se Avdi Feka ka vdekur dhe se ai ishte dakorduar me vëllain e tij për t’i marrë paratë e Avdi Fekës.

Në seancën e shqyrtimit gjyqësor mbrojtjen e tij e ka dhënë  edhe i akuzuari Labinot Ademi.

Mbrojtësi i tij avokati Nikë Lumezi nuk ishte prezent, por i akuzuari Labinot Ademi pranoi që të vazhdojë seancën duke njoftuar paraprakisht gjykatën se avokati i tij nuk ishte mirë me shëndet dhe se mbrojtjen e tij do ta paraqesë personalisht.

Gjatë marrjes në pyetje nga prokurori i Prokurorisë Speciale Haki Geci i pandehuri tha se me ndërmjetësim të kursimeve është marrë shumë pak.

I pandehuri ka thënë se ka pasur disa raste ku ka provuar që të ndërmjetësojë në rastet e konvertimit të kartelave devizore, por se shumica prej tyre kishin dështuar.

Pyetjes së prokurorit Haki Gecaj se në lidhje me rastin e Avdi Fekajt a kishte ndërmarrë ndonjë veprim, i pandehuri Labinot Ademi deklaroi se në 2010 e kishte dërguar prej kufirit të Kosovës deri në Vranjë para bankës Florim Zekën dhe Ali Nurqajn, të cilin në atë kohë e kishte njohur si Avdi Feka.

Ndryshe, Ali Nurqaj, Labinot Ademi e Afrim Haxha po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se në shtator të vitit 2010 në Zveçan, në ekspoziturën e “Jugobankës”, në bashkëkryerje me Florim Zekën si ndërmjetës dhe Ali Nurqaj kinse ishte Avdi Fekaj, pronar i kursimeve të vjetra devizore, kanë vënë në lajthim personelin  e bankës duke siguruar paraprakisht një letërnjoftim të falsifikuar të Serbisë me foto të Ali Nurqajt ndërsa të dhënat e personit të dëmtuar Avdi Fekaj.

Të njëjtit me këtë letërnjoftim të falsifikuar kanë shkuar në bankë dhe kanë kërkuar që t’u bëhet lëshimi i librezave të reja sepse kinse të vjetrat iu kanë humbur dhe të bëhet konvertimi i devizave në euro.

Me këtë të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale legalizim i përmbajtjes së pavërtetë.

Po ashtu, në dhjetor të vitit 2010 në bashkëkryerje me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, me paraqitjen e rrejshme të fakteve e kanë mashtruar personelin e bankës që të veprojë në dëm të pasurisë së të dëmtuarit Avdi Fekaj.

Në këtë mënyrë të akuzuarit Florim Zekaj dhe Labinot Ademi, si ndërmjetësues kurse Ali Nurqaj duke u prezantuar me dokument të identifikimit si Avdi Fekaj, pronar i kursimeve të vjetra devizore, dhe personeli i bankës duke i besuar dokumentacionit të dorëzuar iu kishin mundësuar tërheqjen e kursimeve devizore duke e dëmtuar në këtë mënyrë pronarin e vërtetë të kursimeve Avdi Fekaj në shumën prej 173.944 euro.