Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Aktgjykimi për Rastin "Devizat" me 8 Shkurt

U dha fjala përfundimtare në gjykimin e të akuzuarve për mashtrim, falsifikim dhe shpëlarje parash.

Prokurori nga Prokuroria Speciale e Kosovës Haki Gecaj, deklaroi se pas administrimit të provave manifestohen elementet e veprave penale për çka akuzohen të pandehurit.

Prokurori gjithashtu shtoi se gjykata duhet të shpallë një aktgjykim dënues si dhe të ketë parasysh rrethanat rënduese, me qëllim që ky të jetë shembull ndaj atyre që tentojnë të kryejnë vepra të tilla penale.

Me fjalën përfundimtare të prokurorit Gecaj, është pajtuar edhe përfaqësuesi tjetër i palës së dëmtuar Avdi Fekaj, avokati Skënder Musa, i cili nga gjykata ka kërkuar që përveç aktgjykimit fajësues, gjykata po ashtu të vendos edhe për kërkesën pasurore juridike, në vlerë prej rreth 200.000 eurosh, me qëllim që të dëmtuarve t`u kthehen paratë e marra nga ana e të akuzuarve, prej kartelave të kursimeve.

Me fjalën përfundimtare të prokurorit Gecaj, e cila u dorëzua edhe me shkrim u pajtua edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar Sabrije Feka.

Ndërsa, i dëmtuari Avdi Fekaj, ka deklaruar se është lodhur nga procedurat gjyqësore dhe nga gjykata ka kërkuar që të zbatohet ligji dhe atij t’i kthehen paratë që i janë marrë.

Avokati Ruzhdi Maloku, mbrojtësi i të akuzuarit Florim Zeka fjalën përfundimtare të tij e ka dorëzuar në shkrim, dhe ka shtuar se nga gjykata kërkon që ndaj të mbrojturit të tij, të shpall aktgjykim lirues, ngase sipas tij nuk ka prova se ai i ka kryer veprat penale me të cilat ngarkohet.

Ndërsa i akuzuari Florim Zeka, në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar se është i gatshëm që palëve të dëmtuara t`u ndihmoi në tërheqjen e parave, pasi që sipas tij, e ka parë se kartelat e kursimeve i kanë të padëmtuara, duke shpreh gatishmërinë që të ndërmjetësoj në tërheqjen e parave pa përqindje të interesit.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Ali Nurqaj, avokati Sheremet Ademi, deklaroi se të mbrojturit të tij i vije keq për dëmin e shkaktuar duke thënë se i mbrojturi i tij kishte qenë pre e mashtrimit. Ndërsa kërkoi që me rastin e caktimit të masës së dënimit të merret parasysh mosha dhe gjendja shëndetësore e tij dhe ti shpallet dënim me kusht.

I akuzuari tjetër në këtë rast Afrim Haxha në këtë seancë ishte paraparë që të paraqiste mbrojtjen e tij, por ai  zgjodhi të drejtën që të mbrohej në heshtje, ndërsa në fjalën e tij përfundimtare tha se nuk është dëshmuar që është fajtor dhe kërkoi aktgjykim lirues.

Ndërsa i akuzuari Labinot Ademi, i cili në këtë seancë është mbrojtur vet, për shkak të mungesës të mbrojtësit të tij, avokatit Nikë Lumezi, fjalën përfundimtare të përgatitur nga mbrojtësi i tij,  e dorëzoi me shkrim, përmes saj kërkoi aktgjykim lirues.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Avni Mehmeti pas administrimit të provave dhe dhënies së fjalës përfundimtare njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 8 shkurt.

Ndryshe, Ali Nurqaj, Labinot Ademi e Afrim Haxha po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se në shtator të vitit 2010 në Zveçan, në ekspoziturën e “Jugobankës”, në bashkëkryerje me Florim Zekën si ndërmjetës dhe Ali Nurqaj kinse ishte Avdi Fekaj, pronar i kursimeve të vjetra devizore, kanë vënë në lajthim personelin  e bankës duke siguruar paraprakisht një letërnjoftim të falsifikuar të Serbisë me foto të Ali Nurqajt, me të dhënat e personit të dëmtuar Avdi Fekaj.

Të njëjtit me këtë letërnjoftim të falsifikuar kanë shkuar në bankë dhe kanë kërkuar që t’u bëhet lëshimi i librezave të reja, sepse kinse të vjetrat iu kanë humbur dhe të bëhet konvertimi i devizave në euro.

Me këtë të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale legalizim i përmbajtjes së pavërtetë.

Po ashtu, në dhjetor të vitit 2010 në bashkëkryerje me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, me paraqitjen e rrejshme të fakteve e kanë mashtruar personelin e bankës që të veprojë në dëm të pasurisë së të dëmtuarit Avdi Fekaj.

Në këtë mënyrë të akuzuarit Florim Zekaj dhe Labinot Ademi, si ndërmjetësues, kurse Ali Nurqaj duke u prezantuar me dokument të identifikimit si Avdi Fekaj, pronar i kursimeve të vjetra devizore, dhe personeli i bankës duke i besuar dokumentacionit të dorëzuar iu kishin mundësuar tërheqjen e kursimeve devizore duke e dëmtuar në këtë mënyrë pronarin e vërtetë të kursimeve Avdi Fekaj në shumën prej 173.944 euro.

KALLXO ne vazhdimësi ka raportuar lidhur me kete proces gjyqësor.