Posta do t'ia Shohë Sherrin Privatizimit të Telekomit

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, gjatë raportimit që sot e bëri para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, ka treguar se Pota e Kosovës ka vështirësi dhe operon me humbje.

Sipas tij, rreth 40 për qind e të hyrave të Postës vijnë nga Telekomi i cili paguan qiranë për shfrytëzim të objekteve.

“Posta e Kosovës është një nga kompanitë publike që operon me humbje. Ka qarkullim vjetor nga 10 deri në 11 milionë euro. Vitin 2016 ka qenë pak më mirë me rreth 12 milionë euro. Posta aktualisht nga rreth 40 për qind të të hyrave që i ka janë nga qiraja që Telekomi i paguan për shpenzime të objekteve pra është një shumë mjaftë e madhe”, tha Lluka.

Sipas tij, në momentin që privatizohet, Telekomi do t’i sjellë vështirësi më të madhe Postës e cila i ka rreth 1020 punëtorë me rrogë mesatare 850 euro.

E deputetja Hykmete Bajrani, tha se duhet të ndryshohet Ligji i Ndërmarrjeve Publike për të vlerësuar Bodet çdo vit.

“Ju kisha bërë thirrje juve që të ndryshohet ligji dhe të kërkohet që pas çdo viti të bëhet vlerësimi i Bordit”, tha ajo.

E ministri Lluka, tha se Ligji është duke u ndryshuar tashmë është në diskutim publik.

“Brenda muajit prill do ta dorëzojmë në qeveri e pastaj në Kuvend”, tha Lluka.

Gjatë mbledhjes së këtij komisioni është diskutuar edhe për Trepçën dhe Telekomin e Kosovës.