Ilustrim

Tre zyrtarë të postës në Kaçanik arrestohen për falsifikim të dokumenteve zyrtare

Tre zyrtarë të Postës në Kaçanik janë arrestuar nga Policia e Kosovës në dyshimin se kanë manipuluar në librin e dorëzimit të Dërgesave të Regjistruara të kësaj Zyre Postare.

Sipas njoftimit, dyshohet se në 28 dërgesa janë falsifikuar nënshkrimet e konsumatorëve.

Të dyshuarit me iniciale R. L., K. Z. dhe A. Ç. zyrtarë të postës dyshohet se veprën penale e kanë kryer nga 01.12.2022 deri 31.12.2022.

“Në këtë mënyrë personat e dyshuar të lartcekur me iniciale- Zyrtarë të Postës së Kosovës, kanë rrezikuar kontratën mes Postës së Kosovës dhe një kompanie, me pasoja të mëdha financiare, në dëm të Postës së Kosovës”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia tutje ka njoftuar se sot me datë 30.05.2023, është siguruar prezenca e të dyshuarve të sipër cekur.

Ndërsa, pas intervistës dhe analizës së gjitha provave/dëshmive është ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit kanë kryer vepër penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Tutje sipas njoftimit, tre të dyshuarit pas intervistës në prezencë të avokatit mbrojtës, me vendim të Prokurorit janë ndaluar për 48 orë për proceduar të mëtejme.