Pulla postare me imazhin e Kongresit të Manastirit. Foto: Facebook/Posta e Kosovës.
Posta e Kosovës vë në qarkullim pullën postare me imazhin e Kongresit të Manastirit
Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj nga sot ka vë në qarkullim pullën postare me imazhin që shënon 115- vjetorin e Kongresit të Manastirit.
Përmes një njoftimi, Posta e Kosovës ka bërë të ditur se Kongresi i Manastirit ishte njëra prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore, arsimore dhe kombëtare që e karakterizonte Lëvizjen e Rilindjes Kombëtare Shqiptare në fillim të shekullit XX-të, në të cilin u përpilua dhe u njësua për herë të parë alfabeti i gjuhës shqipe.
“Ky Kongres historik, ishte organizuar në kushte e rrethana të rënda kombëtare dhe ndërkombëtare. Me prezencën e 150 delegatëve, të ardhur nga të gjitha trevat e Shqipërisë etnike, me përfaqësim edhe nga shoqëritë shqiptare jashtë atdheut, u vendos që alfabeti i gjuhës shqipe të ketë bazë shkronjat e alfabetit latin” – thuhet në njoftim e Postës së Kosovës në Facebook.
Rilindësit mendjendritur, thuhet më tej në njoftim, me vendimet e Kongresit të Manastirit jetësuan punën e palodhshme dhe shumëvjeçare të atdhedashësve shqiptarë, si dhe avancuan zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejmë të çështjes arsimore, kulturore, publicistike, të lëvizjes shqiptare për të drejtat kombëtare, të cilat përbënin bazamentin e formimit të shtetit të ardhshëm Shqiptar.
Posta e Kosovës thotë se si çdo herë afirmon ngjarjet kulturore dhe historike të vendit tonë me pulla të bukura postare në tërë botën.
Posta i fton qytetarët që të që të shërbehen edhe me këtë pullë postare, e cila, siç thuhet në njoftim në dërgesat e tyre i bartë imazhet e Kongresit të Alfabetit Shqip.
Kongresi i Alfabetit të Shqipes u mbajt nga 14 deri më 22 nëntor 1908 në Manastir.
Pulla postare me imazhin e Kongresit të Manastirit. Foto: Facebook/Posta e Kosovës.