Ramush Haradinaj dhe Mark Gjonaj ne konference pas takimit Foto: KALLXO.com

Politikani shqiptar i Amerikës: Marrëdhëniet Kosovë-ShBA janë të forta

Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në takim anëtarin e Këshillit të Bashkësisë së New York-ut, shqiptaro-amerikanin Mark Gjonaj të cilin e ka dekoruar me dekoratën Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Pas takimit Haradinaj dhe Gjonaj mbajtën konferencë për media.

Haradinaj tha se me Gjonajn kanë biseduar për shumë tema, përfshi dhe zgjedhjet në Mal të Zi për këshillin e Tuzit.

“Kemi biseduar shumë tema prej shqetësimeve të punëve të Kosovës. Me 3 mars votojnë shqiptarët për këshillin e Tuzit, ftojmë shqiptarët me votu bashkë me iu gëzu komunës së vet. Ne ende kemi nevojë për njerëzit tanë në Amerikë që të vazhdojnë të qëndrojnë afër temave të Kosovës në Amerikë”, tha në mes tjerash Kryeministri Haradinaj.

Ndërsa, politikani shqiptaro-amerikan, Mark Gjonaj foli për emocionet e ardhjes në Prishtinë.

“Pasioni dhe emocionet që kisha kur e kalova sheshin duke zbritur në Prishtinë dhe duke qenë pjesë e këtij populli të madh dhe kombi të madh, është diçka që unë do të kujtoj për shumë vite të ardhshme”, tha Gjonaj para mediave.

Ndërsa sa i përket marrëdhënieve Kosovë-Amerikë, sidomos pas kërkesës së kësaj të fundit për të hequr taksën dhe refuzimin e Qeverisë së Kosovës për ta bërë këtë, Gjonaj shprehet se marrëdhëniet janë të forta dhe do të mbesin të tilla.

“Marrëdhënia midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është e fortë dhe gjithmonë do të jetë e fortë dhe asgjë nuk mund të dëmtojë marrëdhënien që kemi”, tha tutje Gjonaj.