Policia në Pejë me plan operativ për transportuesit ilegal të drunjve

Policia në Pejë ka filluar të zbatoj planin operativ kundër transportuesve ilegal të drunjëve.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, Stacioni në Klinë gjatë ditës së djeshme ka filluar dje të zbatoj planin operativ “Marrja e masave ligjore kundër transportuesve ilegal të masës së drurit”.

Policia ka njoftuar se qëllimi i këtij plani është të mbrojë pyjet, të cilat janë duke prerë dhe duke u transportuar në mënyrë ilegale nga persona të ndryshëm.

“Lidhur me këtë është njoftuar Inspektorati Komunal si dhe Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari pranë Kuvendit Komunal Klinë dhe së bashku ka filluar implementimi i planit. Gjatë zbatimit të këtij plani Policia e Kosovës në këtë zonë ka ndaluar shtatë mjete transportuese, të cilat kanë qenë duke transportuar masë drunore pa dokumentacion përkatës”, njofton policia.

Tutje, në njoftim thuhet se policia në bashkëpunim me inspektorët e tregut, me zyrtarët për bujqësi dhe pylltari, ka konfiskuar masën drunore  dhe me urdhër të prokurorit të shtetit dhe ndaj të dyshuarve janë iniciuar rastet ‘transport ilegal i drunjëve’ dhe janë ndërmarrë masat adekuate ligjore.