Sqarimi i policisë për reagimin e qytetares e cila pretendon se u shqetësua familja e saj për disa grafitë

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme ka raportuar për një rast të një qytetareje nga Deçani e cila përmes një reagimi në facebook ka pretenduar se policia i ka shqetësuar familjen e saj për shkak të disa grafiteve të shkruara në mure të qytetit nga një organizatë.

Suada Qorraj, qytetare nga Komuna e Deçanit dhe gazetare në portalin Kultplus, ka thënë se Policia e Kosovës i ka shqetësuar dje familjen e saj, për shkak të një postimi të cilin ajo e ka shpërndarë gjatë ditës së djeshme në rrjete sociale.

“Mbrëmë bëra share një aktivitet të një organizatë “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, në të cilin tregohej se janë bërë grafite në Komunën e Deçanit. Sot përpos që u sulmova pa bazë nga individ që fshihen pas portaleve, në shtëpinë time në Deçan familja u vizitua nga Policia e Kosovës”, thuhet në postimin e Qorrajt.

Sipas saj, vizita e Policisë së Kosovës ishte bërë vetëm mbi bazën e shpërndarjes së postimit nga ajo, duke aluduar që aktiviteti ishte realizuar nga Qorraj, gjë e ajo e mohon të jetë e vërtetë pasi, ka thënë se deri në momentin e publikimit të fotografive nuk ka qenë në dijeni për një aktivitet të tillë.

“Policia e Kosovës ka marrë mundimin që të shqetësoj familjarët e mi, po të njëjtit nuk kanë marrë mundimin që të verifikojnë faktet. Kjo është shqetësuese sepse është sulm direkt mbi fjalën e lirë”, ka shkruar Qorraj.

Në lidhje me rastin, KALLXO.com ka kërkuar një përgjigje nga Policia në Pejë.

“Policia në Stacionin Policor në Deçan dje ka vërejtur të shkruara disa grafite si “Baba i mirë t’qon n’shkollë, “Kafja nuk është veç për burra”, dhe “Gratë e mira dalin edhe n’kafe”, atëherë është kontaktuar prokurori i shtetit, nga i cili është kërkuar që të identifikohen akterët e këtij shkrimi, me qëllim që të gjejmë motivin e mundshëm të këtyre shkrimeve-grafikëve”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Tutje policia ka bërë të ditur se gjatë veprimeve policore, policia ka identifikuar se një qytetare kishte shpërndarë në llogarinë e saj në rrjetin social facebook këto mbishkrime, dhe bazuar në këtë shkrim, policia ka shkuar në shtëpinë e qytetares në fjalë, me qellim që të sigurojë ndonjë informacion rreth akterëve të këtij shkrimi.

Kur policia është pyetur nëse janë të ndaluara këto mbishkrimeve të bëra nga organizata “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, policia ka thënë se nuk është vlerësuar nga prokuroria ndonjë element i veprës penale.

Policia ka treguar edhe për qëllimin e kontaktimit të qytetares Suada Qorraj.

“Policia ka kontaktuar qytetaren me qellim të grumbullimit të informatave. Policia nuk kanë dyshuar që kjo qytetare i ka shkruar këto mbishkrime, por kemi vlerësuar se qytetarja mund të ndihmoj apo ofroj informacione për shkrimet”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Organizata “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, në facebook para dy ditëve kanë postuar forografi duke bërë të ditur se kanë zhvilluar një aksion simbolik me grafite.

“Sonte në Deçan, bashkë me aktivistet feministe të Deçanit, u zhvillua aksion simbolik me grafite në muret e qytetit me parulla që dënojnë patriarkatin dhe shtypjen e grave. Përmes shkrimeve në mur, aktivistet/ët nxorën në hapësira publike disa të vërteta të grave të cilat përjetohen e riprodhohen në heshtje. Dhuna ndaj grave, ndalimi i shkollës nga baballarë, vëllezër e axhallarë, mbyllja e grave brenda mureve të shtëpisë, u shkruan me ngjyrë të kuqe, si alarm për shoqërinë e institucionet dhe shenjë që revolta dhe rezistenca e grave po zihet shtëpive e rrugëve të qytetit”, thuhet në postimin e organizatës.