Brezovica. Foto: snow-forecast.com

Policia Ndihmon Nxënësit që Ngecën në Borë në Brezovicë

Policia e Kosovës u ka ndihmuar rreth 60 nxënësve të cilët në mënyrë të organizuar ishin nisur sot drejt qendrës së skijimit në Brezovicë që të arrijnë në këtë qendër.

Në një komunikatë të lëshuar nga policia rajonale e Ferizajt thuhet se autobusët që i bartnin këta nxënës kanë qenë pa pajisje adekuate dimërore dhe nuk kanë mundur që t’i transportojnë nxënësit deri te qendra e skijimit.

“Për këtë arsye nxënësit me profesorët e tyre kanë qenë të detyruar që pjesën e rrugës prej rreth 10 kilometra ta vazhdojnë në këmbë, për çka disa prej tyre nuk kanë pasur kondicion dhe kanë ngecur prapa grupeve”, thuhet në komunikatë.

“Policia gjatë patrullimit në rrugën Brezovicë- Qendra e skijimit , kur ka hasur në këta nxënës, i ka transportuar deri te terrenet e skijimit”, thotë komunikata.

Fluksi i vizitorëve në qendrën e skijimit në Brezovicë, sipas policisë, është shtuar këtë fundjavë për shkak të reshjeve të borës prandaj një numër i madh i automjeteve si dhe autobusëve me nxënës të shkollave të mesme dhe fillore nga të gjitha qytetet e Republikës së Kosovës në kanë shkuar ekskursione njëditore.

“Policia apelon tek drejtorët e shkollave dhe organizatorët e këtyre ekskursioneve që të sigurohen se firmat transportuese t’i kenë autobusët e përgatitur me të gjitha pajisjet dimërore për kushtet e tanishme atmosferike, me qëllim që fëmijët mos të jenë të detyruar që të ecin këmbë dhe njëherit të jenë nën mbikëqyrjen e pandërprerë të përcjellësve të tyre e jo të ndahen nga grupi i shkollës, pasi që në këtë teren ka reshje të mëdha të borës dhe në çdo moment mund të rrezikohet siguria e tyre”, thotë Policia e Kosovës.