Moti i ashpër shkakton kaos në Europën veriore
Zyrtarët në disa shtete europiane i kanë këshilluar njerëzit të qëndrojnë në shtëpi të mërkurën pasi moti i ligë shkaktoi kaos në rrugë dhe ndërpreu transportin publik.
Bora e madhe dhe shiu kanë përfshirë pjesë të Europës veriore dhe qendrore të mërkurën, duke e ndalur transportin, duke shkaktuar kaos në rrugë dhe ndërprerje të mëdha në aeroportet në rajon.
Në Danimarkë, bora e madhe dhe erërat e forta i kanë bërë të rrezikshme kushtet në rrugë me disa aksidente në trafiku.
Transporti hekurudhor është prekur po ashtu me policinë duke i këshilluar njerëzit të punojnë nga shtëpia dhe t’i shtyjnë takimet e përcaktuara për ndonjë ditë tjetër.
Në kryeqytetin norvegjez, Olso, dukshmëria e dobët dhe bora e madhe ndikuan që shërbimet e autobusëve të ndalën duke i lënë shumë njerëz të bllokuar.
Moti i ligë gjithashtu e ka ndërprerë trafikun rrugor, veçanërisht në të gjithë jugun e Norvegjisë dhe i ka vonuar shërbimet hekurudhore.
Aeroporti i qytetit u mbyll përkohësisht të mërkurën pasi bora e madhe e ka ulur dukshmërinë për pilotët.
Në rajonin verilindor të Lorenit të Francës, zyrtarët e atjeshëm e kanë lëshuar një alarm portokalli për shkak të shiut dhe borës së akullt.
Gjithashtu janë raportuar aksidente të shumta trafiku duke e vështirësuar në këtë mënyrë transportin publik. Méteo France të mërkurën paralajmëroi për më shumë borë dhe shi në pjesën më të madhe të verilindjes së vendit.
Në Gjermani, rreth 700 fluturime u anuluan për shkak të kushteve ekstreme të motit në Aeroportin e Frankfurtit, qendra ajrore më e ngarkuar e këtij vendi.
Zyrtarët e aeroportit të Frankfurtit kanë thënë se ekzistonte rreziku i ngrirjes së aeroplanëve përsëri teksa ata lëviznin drejt pistës.
Reshjet e dendura të borës dhe shiu i ngrirë shkaktuan gjithashtu vonesa dhe anulime në aeroportet e tjera gjermane.
Shiu i ftohtë në Gjermaninë perëndimore dhe jugore çoi në shumë aksidente në rrugët me akull në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës.
Si masë paraprake, shumë shkolla dhe kopshte u mbyllën gjatë ditës dhe disa kompani u ofruan punonjësve të tyre mundësinë e punës nga shtëpia.
Dhe rajoni jugor i Belgjikës shtë gjithashtu në alarm të kuq për shkak të shiut të ngrirë që po ndikon në trafikun rrugor./Euronews