Foto-ilustrim: Policia e Kosovës

Policia me Plan për Sigurinë Gjatë Festave

Policia e Kosovës përveç masave të sigurisë të ndërmarra gjatë gjithë vitit 2015, ka filluar përgatitjet edhe me rastin e ndërrimit të moteve, duke shtuar prezencën e pjesëtarëve të policisë në ambiente të hapura, në sheshe të qyteteve të ndryshme ku do të mbahen organizime festive.

Policia thotë se ka përgatitur planin operativ “Fund-viti 2015”, për të ofruar siguri në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ky plan operativ ka për qëllim që të ofroj siguri për të gjithë qytetarët, dhe të parandalohet çdo incident i mundshëm

“Qëllimi i këtij planifikimi dhe angazhimi të Policisë së Kosovës, është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike në mbarë vendin, parandalimi dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale,” thuhet në komunikatën e policisë.

Përmes kësaj komunikate, Policia ka apeluar tek të gjithë qytetarët që të jenë më vigjilentë dhe të vetëdijshëm për rrezikun që mund të shkaktojnë mjetet piroteknike dhe të njëjtat mos t’i lënë në duart e fëmijëve, kështu për të evituar rrezikun për veten dhe rrethin ku ata janë duke festuar.

“PK-ja kërkon nga të gjithë qytetarët që gjatë manifestimit të mos përdorin mjete të kundërligjshme siç janë armët e zjarrit, në të kundërtën njësitet policore do të ndërmarrin veprimet e menjëhershme ligjore,” thuhet në komunikatë.

Gjithashtu policia ka bërë thirrje te pjesëmarrësit në komunikacion që të kenë kujdes të shtuar, të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe kushtet atmosferike.