Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Policia e Gatshme për 'Vidovdan'

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë njofton opinionin se në kuadër të festës religjioze ortodokse të “Vidovdanit”, e cila organizohet nesër, ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar qarkullim normal të komunikacionit në zonat ku konsiderohet se do të zhvillohen manifestime të ndryshme dhe për krijimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në tërë rajonin e Prishtinës.

Në këtë kontekst, gjatë ditës së nesërme në intervale të përcaktuara  kohore, varësisht nga rrjedha e situatës,  Policia do të bëjë ridrejtimin e komunikacionit për automjete të vogla.

Policia njofton se të gjitha ato automjete që vijnë nga drejtimi i Gjilanit do të udhëzohen që të shfrytëzojnë rrugët alternative, duke shkuar në drejtim të fshatit Llapnasellë, si dhe automjetet të cilat vijnë nga drejtimi i Llapnasellës, do te udhëzohen për rrugën në drejtim të Gjilanit.

Veç kësaj të gjitha automjete e rënda, duke përfshirë autobusët, kamionët dhe maunat, të cilët qarkullojnë në rrugën magjistrale Gjilan – Prishtinë në hyrje te fshatit Mramor do të udhëzohen të shfrytëzojnë rrugën alternative.

Ndërkaq ato që lëvizin në drejtimin Prishtinë – Gjilan do të udhëzohen në hyrje të lagjes Veternik dhe do të kenë dy mundësi të shfrytëzojnë rrugën alternative.

Këto kufizime nuk do të vlejnë edhe për automjetet e lehta, veturat civile e autobusët që bartin në mënyrë të organizuar udhëtarët të cilët do të marrin pjesë në këto ceremoni si dhe anasjelltas.

Sipas Policisë, në orët e paradites do të ketë një ridrejtim të trafikut edhe në rrugën magjistrale Prishtinë – Mitrovicë, në segmentin rrugorë prej fshatit Shkabaj deri tek udhëkryqi i fshatit Milloshevë për të gjitha automjetet përveç atyre që do të jenë pjesëmarrëse në ceremoninë që do të mbahet në Gazimestan.

Policia paralajmëron se varësisht rrethanave mund të ndërmarrë edhe veprime shtesë për të siguruar kushte optimale për rrjedhë normale të këtij manifestimi.