Policia në veri | Foto: KALLXO.com

Policia: Deklaratat Serbe për Minimin e Hekurudhës – të Pavërteta

Policia e Kosovës i quan të pavërteta deklarimet e zyrtarit serb, Milovan Drecun, i cili nga disa portale citohet të ketë thënë se njësiti ROSU shërbehet me metoda terroriste dhe janë faktorë destabilizues.

“Vetë kjo njësi i ka vendosur eksplozivët dhe pastaj i ka krijuar videot”, citohet të ketë thënë zyrtari serb lidhur me lajmet se në hekurudhën në veri të Kosovës ishte vendosur eksploziv për të penguar ardhjen e trenit serb, i veshur me parulla provokuese.

Në reagimin e saj, Policia e Kosovës thotë se pas marrjes së këtyre informacioneve për minimin e hekurudhës ka dërguar njësitet relevante policore përfshirë edhe mjetet dhe pajisjet logjistike me qëllim të identifikimit dhe sqarimit të rrethanave të krijuara, mirëpo nuk ka hasur në asnjë mjet shpërthyes në dhe përgjatë hekurudhës në territorin e vendit.

Prandaj, deklaratat e zyrtarëve serbë se kinse qytetarët e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë vendosur mjet shpërthyes me qëllim të parandalimit të futjes së trenit në Kosovë, ajo i cilëson dezinformuese dhe të pavërteta.

Ndryshe, treni i nisur nga Beogradi drejt Mitrovicës, është ndalur në Rashkë dhe është kthyer mbrapshtë, pasi që autoritetet kosovare ishin të vendosura për të mos e lënë atë të hynte në territorin e Kosovës.

http://kallxo.com/treni-nuk-leviz-nga-rashka/