Genc Meraku, ish- kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës dhe Themelues i Kompanisë Zero Pozitive- Foto: ZeroPozitive

Shtiu me Armë, Policia Arreston Ish-Kandidatin e AAK-së për Kryetar të Prishtinës

Ish- kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Genc Meraku, është arrestuar mbrëmë nga policia.

KALLXO.com mëson se personi prej të cilit u konfiskuan një revole dhe dy karikatorë mbrëmë në Hajvali është, themeluesi i kompanisë Zero Pozitive, Genc Meraku.

KALLXO.com ka kontaktuar me zyrën e Zero Pozitive por ata nuk janë deklaruar në lidhje me këtë rast.

“Për momentin nuk mundemi me dhënë asnjë deklaratë në lidhje me atë rast. Se kam askënd që mundet me të shtjellu këtë gjë”, ishte përgjigja e zyrës së kësaj kompanie.

Genc Meraku në vitin 2007 ka kandiduar për të parin e Prishtinës si kandidat i AAK-së.

Policia e Kosovës me anë të raportit të saj ditor, ka njoftuar se mbrëmë rreth orës 19:00 në Hajvali një person është arrestuar për gjuajtje me armë.

Sipas raportit, i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në ajër në një aheng familjar.

Pas intervenimit të policisë, ai kishte vetë dorëzuar armën e përdorur me dy karikatorë.

Ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.

http://kallxo.com/arrestohet-pasi-gjuajti-arme-ne-aheng-familjar/

Në dhjetor të vitit të kaluar, Zëvendës kryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, është xhiruar duke gjuajtur me armë në një aheng pas lirimit nga akuzat për korrupsion të kolegut të tij në qeveri, Fatmir Limaj.

Policia kishte thënë se ka nisur hetimet pas publikimit të videos, por askush nga ata që kanë shtënë në këtë aheng nuk është arrestuar.