Salla e asamblesë komunale të Podujevës | Foto: KALLXO.com

Podujeva që 6 Vjet Mban Punëtorë me Kontrata mbi Vepër

Sipas Ligjit për Shërbyes Civilë kontratat në vepër nuk guxojnë të zgjasin më shumë se gjashtë muaj.

Në këtë komunë, sipas auditorit, 13 persona janë të punësuar me kontratë në vepër, ose siç njihet ndryshe me kontratë për shërbime të veçanta, ndërsa paguhen nga kategoria mallra dhe shërbime.

Nga 15 rekomandimet e auditorit për Komunën e Podujevës në vitin 2014, tri janë zbatuar plotësisht, gjashtë janë në proces të zbatimit, ndërsa gjashtë të tjera nuk kanë nisur të zbatohen.

Auditori kishte kërkuar në 2014-ën nga Komuna e Podujevës kontrolle të kërkesave të prokurimit, moskryerjen e pagesave para se të fillojnë projektet dhe që akt-emërimet e pagesat për punë shtesë të bëhen sipas ligjit, ndërsa këto shkelje nuk i ka gjetur në raportin e sivjetmë, pasi komuna i ka plotësuar këto rekomandime.

Por komuna nuk ka zbatuar rekomandimet për regjistrimin adekuat të shpenzimeve, ndërsa kryetari Agim Veliu sipas auditorit nuk e ka kontrolluar sa duhet punën e menaxherëve, nuk ka arritur t’i inkasojë të hyrat nga qiraja, nuk ka arritur të forcojë auditivin e brendshëm, ndërsa edhe faturat e pagesave të borxheve nuk janë protokolluar.

Komuna e Podujevës sipas auditorit nuk kishte plan të menaxhimit të kontratave për mallra dhe shërbime. Auditori rekomandon kryetarin që të sigurohet që menaxheri i prokurimit të caktojë persona adekuat për menaxhimin e kontratave, sepse rreziku ekziston që ato kontrata munden edhe të mos përmbushen në tërësi.

Gjatë vitit 2015 Komuna e Podujevës kishte inkasuar të hyra vetëm 1.2 milionë euro nga 1.6 milionë euro të planifikuara, apo realizimi i të hyrave ishte 74 për qind nga planifikimet.

Mospërmbushja e të hyrave në tërësi kishte ardhur si pasojë e mosinkasimit të qirave për pronat e shfrytëzuara komunale.

Borxhi i grumbulluar prej 26 mijë eurove ishte nga mospagesa e qirave për tri lokale afariste të cilat ishin në shfrytëzim që nga viti 2012, e Komuna e Podujevës nuk kishte ndërmarrë asgjë për t’i detyruar qiramarrësit të paguajnë qiranë.

Një borxh tjetër i painkasuar nga viti 2006 në vlerë prej 77 mijë eurove ishte krijuar nga shfrytëzimi i pronës komunale pa kurrfarë ndëshkimi nga komuna.

Borxh prej 22 mijë euro ka të papaguar edhe një kompani private për vendosjen e billbordave që nga viti 2013. Edhe pse komuna e ka shkëputur kontratën në vitin 2015, kjo kompani ende vazhdon vendosjen e billbordave në qytetin e Podujevës.

Komuna e Podujevës po ashtu ka probleme me inkasimin e taksave të fitimit nga bizneset, nga viti në vit borxhi i këtyre taksave ka arritur në 3.4 milionë euro në vitin 2015.

Subvencionet prej 146 mijë eurove i kishin fituar 30 fermerë nga 120 sa kishin aplikuar, por auditorit nuk i ishin ofruar dëshmi se a kanë qenë meritorë ata 30 përfitues, e njëjta gjë kishte ndodhur edhe me 99 mijë eurot për kosheret e bletëve.

Auditorit nuk i kishin ofruar dëshmi se 100 bletarët përfitues të subvencioneve, i plotësonin me të vërtetë kushtet për marrjen e koshereve të bletëve nga 330 sa kishin aplikuar.

“Mungesa e transparencës në procesin e ndarjes së subvencioneve shpie në konkludimin që përfituesit e subvencioneve të mos jenë përfituesit më meritorë. Kjo rrit rrezikun që subvencionet e dhëna të mos arrijnë objektivat e synuara,” thuhet në raportin e auditorit.

Pavarësisht shkeljeve ligjore, auditori ka evindentuar se komuna e Podujevës në vitin 2015 ka arritur të shpenzojë 93 për qind të buxhetit, apo 17.9 milion euro, ku pjesa më e madhe prej 11.3 milionëve është shpenzuar për paga dhe mëditje, ndërsa në investime kapitale kjo komunë ka shpenzuar 4.8 milionë euro.