Gjykimi për vrasjen në Podujevë | Foto: KALLXO.com

Pleqnari dëshmon në gjykatë për konfliktin që i parapriu vrasjes së Fahri Bunjakut

Pleqnari dëshmon në Gjykimin për vrasjen që ndodhi pas konfliktit për shitblerjen e kafshëve

Në gjykimin ndaj dy vëllezërve Sadat e Fejard Llugaliu të akuzuar për vrasjen e Fahri Bunjakut, ngjarje kjo tragjike të cilës pretendohet t’i ketë paraprirë një konflikt rreth shitblerjes së kafshëve, në cilësi të dëshmitarit u dëgjua pleqnari Ramadan Mahmuti.

Ramadan Mahmuti në gjykatë tregoi për porosinë që tha të ja kishte përcjellë familjes së Sylejman Llugaliut pas konfliktit rreth shitblerjes së kafshëve që kishte ndodhur në mes djemve të familjes Bunjaku e Llugaliu.

Pas një konflikti të vogël i cili kishte ndodhur në mes të dy familjeve, dëshmitari tha se atë e kishte telefonuar Avdyl Bunjaku dhe i kishte kërkuar që të shkonte ta takonte pasi që e kishte një hall.

“Lidhur me rastin kur ka ndodhur, unë kam qenë të shtëpia kur më ka thirr Avdyl Bunjaku…kërkesa e tij ka qenë Ramadan e kam një dert, a bon me ardh deri te unë”, tha dëshmitari t’i ketë thënë Avdyl Bunjaku.

“I thash urdhno pse me ke kërkuar çfarë derti ke? Tha Ramadan me Sylejman Llugaliun e kemi një mosmarrëveshje. Janë nguc do djem në mes vete, ka nis me i ra me një brisk a me një armë po shyqyr zotit nuk është bërë asgjë. Çka ta merr mendja, ka me i ra?, Pasi që ti merresh më shumë raste të ndryshme”, tregoi dëshmitari t’i kishte thënë babai i tanimë të ndjerit.

“…Tha Ramadan ti me shku me i bë të fala Sylejmanit, me i thanë në të paça ndonjë send borxh që me ju ke dalë djemve, më tregon sa e kam borxhin ta laj, e tani vjen e bëjmë llaf prapë. E në qoftë se nuk të kam borxh, ti merri dy vetë e unë dy vetë, ku të na lojna gjindja unë të përgjigjem, nëse është nevoja edhe për një gjak. Por nëse gjindja më lajnë fajtor e jo ne shoqi shoqin…Dalim ndër gjind edhe ku të na thonë ata”, tha dëshmitari t’i kishte kërkuar Avdyl Bunjaku që të shkonte në shtëpi tek Sylejman Llugaliu të ja përcillte ketë porosi.

Pastaj së bashku edhe me tre persona të tjerë tha se kanë shkuar në shtëpi tek Sylejman Llugaliu dhe ja kanë përcjellë porosinë e Avdyl Bunjakut.

“…I thash Sylejman kish ndodh një rast, i thash ma e mira punë ish bo që nuk ish bo më e madhe. I thash ne jemi të porositur prej Avdylit, ishit rre te posta, policia ju kish marrë, po mbasi që nuk është bo ma keq, ai na ka porositë, porosinë e kemi pru…A po del ndër gjind… Ju mundeni me i ndërru gjinden me e marrë kënd të doni për pleqëri”, tha dëshmitari se i është drejtuar me këto fjalë Sylejman Llugaliut.

Ndërsa për këtë të fundit tha se i kishte thënë se njëherë për një herë nuk është në gjendje që këtë punë ta pleqëroj me njerëz.

“Tha po më dhimbseni që keni ardh, mirëpo Avdyli e di që mu ka rrah djali mua e edhe ne e dimë se kush na e ka rrah djalin. Tha njëherë për një herë nuk jam në gjendje me dalë as para gjindve e as në Gjykatë, po edhe kjo nuk është shumë punë e madhe”, tha t’i ishte përgjigjur Sylejmani. Pastaj dëshmitari tha se Sylejmanit i kishte thënë se është i zhgënjyer sepse këtë herë për fat nuk kishte ndodh diçka e madhe por që herën e dytë mund të jetë serioze e pastaj është vonë.

Për lajmin tragjik të vrasjes së Fahri Bunjakut, dëshmitari tha se e kishte marrë atë ditë kur ishte vrarë Fahriu. Ndërsa më saktësisht tha se ngjarja tragjike ka ndodhur shtatë ditë prej se kishin qenë tek shtëpia e Sylejman Llugaliut për të ja përcjellë porosinë e Avdyl Bunjakut, i cili pas një konflikti që kishin pasur djemtë e kësaj familje, kishte kërkuar që ta pleqëronin këtë punë.

Pas ngjarjes tragjike dëshmitari tha se me kërkesë të Sylejman Llugaliut kishte shkuar prapë te shtëpia e Avdyl Bunjakut, por kësaj radhe për të kërkuar besë nga këta të fundit.

Sipas aktakuzës Sadat e Fejard Llugaliu së bashku kanë kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve, sepse me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Fahri Bunjaku për shkak të një konflikti të mëparshëm që kishin rreth biznesit – shitblerjes së kafshëve me shumicë, i kanë dalë në pritë dhe kanë shtënë në drejtim të tij.

Në këtë proces gjyqësor i akuzuar ka qenë edhe Esat Llugaliu, por ndaj tij është veçuar procedura penale pasi që i njëjti ka pësuar lëndime trupore të rënda me pasoja të përhershme për shëndetin.

Sipas aktakuzës, Bunjaku duke tentuar të largohej nga vendi ku i kishin zënë pritë, në vetëmbrojtje plagosi Esat Llugaliun, ndërsa të pandehurit e tjerë Sadat dhe Fejard Llugaliu e ndoqën nga pas duke shtënë në drejtim të tij e pastaj duke e goditur me shkopinj druri.

Nga plagët e marra Bunjaku vdiq në QKUK, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Themelore.