Projekti për zonën rreth Liqenit Akumulues - Foto: Komuna e Mitrovicës

Planifikohet Zhvendosja e Banorëve që Jetojnë Afër Liqenit Akumulues

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri së bashku me nënkryetarin, Faruk Mujka, kanë mbajtur një takim informues me banorët të cilët banojnë pranë Liqenit Akumulues.

Sipas një komunikate të Komunës së Mitrovicës, Bahtiri në këtë takim ka njoftuar të pranishmit lidhur me projektin i cili i dedikohet Liqenit Akumulues.

Bahtiri gjithashtu u tregoi të pranishmëve se në bazë të këtij projekti parashihej edhe zhvendosja e shtëpive të ndërtuara në pronën publike.

Kryetari Bahtiri ka kërkuar mirëkuptim dhe bashkëpunim nga qytetarët për realizimin e këtij projekti, i cili sipas tij do ta bëjë Mitrovicën qytetin më atraktiv në Kosovë.

Po ashtu, gjatë këtij takim kryetari bëri të ditur që  do të bëjë përpjekje maksimale për sigurimin e mjeteve financiare nga niveli qendror dhe sipas mundësive buxhetore të arrihet një zgjidhje për të gjitha familjet, shtëpitë e të cilëve janë pjesë e implementimit të këtij projekti.

Kurse ai gjithashtu më tutje ka shtuar se për arsye të përmbushjes së standardeve  të UEFA-s dhe FIFA-s do të bëhet zhvendosja  e disa shtëpive në afërsi të stadiumit “Adem Jashari”.

Në fund  të takimit, kryetari Bahtiri ka thënë se gjithmonë do të jetë pranë qytetarëve për të siguruar një mirëqenie më të mirë.

Ndryshe projekti i ndërtimit të liqenit në Suhadoll është financuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me 4.5 milionë euro.

Liqeni ka gjatësi prej 1.8 kilometra, gjerësi deri në 150 metra dhe thellësi deri në 3 metra.

Liqeni Akumulues shtrihet në hapësirën nga Suhadolli përgjatë rrjedhës së lumit Ibër, nëpër Zhabar e deri në Gushavc e Vinarc.