Plani A, B dhe C i Opozitës Shkon te Presidentja

Pika e parë që liderët opozitarë e kanë kërkuar sot në takim me Presidenten Atifete Jahjaga, ka qenë anulimi i dy marrëveshjeve: asaj për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si dhe asaj të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Kërkesë tjetër ka qenë edhe lirimi i deputetëve dhe aktivistëve të arrestuar opozitarë gjatë ngjarjeve të muajit të kaluar si brenda ashtu edhe jashtë sallës së Kuvendit.

Visar Ymeri i Vetëvendosjes, Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Fatmir Limaj i NISMA-s, janë takuar sot me Presidenten Jahjaga në përpjekje për ta gjetur një zgjidhje që e nxjerr vendin nga kriza politike e cila e ka kapluar vendin tash e gati tre muaj.

Në këtë takim, liderët opozitarë i kanë dorëzuar Presidentes një listë me kërkesa dhe skenarë se si e shohin ata daljen e vendit nga kjo krizë.

Në fakt, kërkesat e liderëve të opozitës janë krejtësisht të njëjta me ato të mëhershmet. Ajo që duket risi në këtë letër që e ka siguruar KALLXO.com janë hapat që mund të vijnë si pasojë e refuzimit të anulimit tëe marrëveshjeve dhe lirimit të të arrestuarve.

“Anulimi i Marrëveshjeve me Serbinë për themelimin e Zajednicës, dhe Marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit, në linjë edhe me kërkesat e 205 mijë qytetarëve nënshkrues të peticionit kundër këtyre marrëveshjeve. Duhet të lirohen menjëherë të gjithë të burgosurit politik  (deputet dhe aktivistë të Opozitës)”, thuhet në kërkesë.

Në letër thuhet se në rast se marrëveshjet nuk anulohen atëherë, marrëveshjet t’i nënshtrohen votës popullore përmes referendumit.

E në rast se as kjo kërkesë nuk përmbushet, atëherë opozitarët kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Plani ABC