Veselinoviq Kërkon Liri nga Gjykata e Apelit

Në Gjykatën e Apelit në Prishtine sot u mbajt seanca ndaj Zharko Veselinoviq i cili akuzohet për veprën penale pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Prokuroria e Qarkut në Mitrovicë, Veselinoviqin e akuzon se në gusht të 2010 në fshatin Rudare me një motoçikletë kishte tentuar t’i shkelte dy zyrtarë policorë të cilët ishin duke legjitimuar një cisternë me naftë.

Në fillim kjo prokurori të Veselinoviq e kishte akuzuar për veprën penale të vrasjes në tentativë, mirëpo më vonë gjykata kishte gjetur se nuk ka elemente të kësaj vepre dhe të njëjtin e kishte dënuar për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Gjykata Themelore në Mitrovicë të akuzuarin Veselinoviq në korrik të 2014 e kishte gjetur fajtor dhe e kishte dënuar me 12 muaj burg dhe 300 euro gjobë.

Mirëpo me këtë dënim nuk ishin pajtuar as prokurori i rastit e as i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, dhe në afat kohor kishin paraqitur ankesë kundër këtij aktgjykimi.

Prokurori i rastit kishte kërkuar qe të hidhet ankesa e avokatit të akuzuarit dhe të vërtetohet aktgjykimi.

Ndërsa av. Nebojsha Vllahiq, mbrojtës i të akuzuarit Veselinoviq, kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit si gjykatë e shkallës së dytë ta ndryshojë aktgjykimin dhe të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza.

Av. Vllahiq kishte shkuar aq larg sa që në ankesë kishte deklaruar se “dënimi është i lartë dhe i njëjti është dhënë sepse i akuzuari është serb i pjesës veriore dhe është vëlla i personit të caktuar”.

Ndërse i dëmtuari në këtë rast, Avni Tahiri, deklaroi në seancë se aty janë sulmuar e nuk janë penguar.

Ndërse i dëmtuari tjetër, Fitim Salihu, nuk kishte diçka për të shtuar në seancën e sotme.

Trupi gjykues i njoftoi palët se vendimin lidhur me këtë rast do ta marrin në formë të shkruar brenda afatit të paraparë ligjor.

Në seancë nuk ishin prezent as i akuzuari e as mbrojtësi i tij, dhe po ashtu, mungoi edhe prokurori i rastit, Claudio Pala.