Vendoset në Pejë Gurthemeli i Shtatores së Bajraktarit të Rugovës

Në qytetin e Pejës është vendosur sot gurthemeli i shtatores së heroit kombëtar Kadri Bajri. Ky i fundit i njohur edhe si Bajraktari i Rugovës u çmua shumë për veprën e tij.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Pejës, Islam Husaj, tha se Bajraktari i Rugovës tërë jetën e tij ia kushtoi atdheut. Husaj theksoi së shtatorja e Kadri Bajrit i bën nder qytetit të Pejës dhe bjeshkëve të Rugovës.

“Peja sot po nderon një njeri të veçantë, shtatorja e të cilit i bënë nderi këtij qytetit dhe bjeshkëve të Rugovës”, tha Husaj.

Edhe profesori Zymer Neziraj çmoi lart veprën dhe jetën e Kadri Bajrit. Ai tha së për këtë hero duhet bërë edhe më shumë për t’i dalë borxhit.

“Këtij burri i kemi borxh edhe ma shumë. Për të duhet shkruhet një monografi, duhet të bëhen hulumtime jo vetëm në traditën gojore, por duhet bëhen hulumtime edhe në arkivat jashtë”, theksoi Neziraj.

Përfaqësuesi i familjes Bajraktari dhe i fshatit Kushotan të Rugovës, Ramiz Muriqi, falënderoi organizatorët dhe të pranishmit për këtë iniciativë të qëlluar për shtatoren e Bajraktarit të Rugovës.

Shtatorja e Kadri Bajrit do të vendoset afër stacionit të autobusëve në Pejës, e cila do të punohet nga skulptori Gëzim Muriqi.

Kjo ngjarje u organizuar nën patronatin e kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri.