Sheila Turkoviq Përballet me Mbrojtjen e Kelmendit

Në Pallatin e Drejtësisë vazhdoi seanca ndaj Naser Kelmendit me dëshminë e Sheila Turkoviqit, e cila në ditën e gjashtë të dëshmisë së saj u mor në pyetje nga mbrojtja e Kelmendit.

Në pyetjen e avokatit mbrojtës të Kelmendit, Besnik Berisha, se a është e vërtetë që burri juaj është në burg, Turkoviq u përgjigj  se po, porse ai ndodhet në paraburgim.

Berisha më pas e pyeti dëshmitaren se a është e vërtetë që edhe gjykata e shkallës së dytë e ka dënuar bashkëshortin e dëshmitares, Zijad Turkoviq, dëshmitarja u përgjigj se ky ishte një vendim politik.

“Dënimi ishte një vendim politik edhe ju si avokat e dini se ne kemi të drejtë të ankohemi dhe se vendimi nuk është final”, tha Turkoviq.

Zijad Turkoviq u dënua me 40 vjet burg nga një gjykatë në Bosnjë në nëntor të vitit 2013 për udhëheqjen e një grupi të krimit të organizuar që ishte përgjegjës për disa vrasje, kontrabandim të drogës si dhe kryerjen e disa vjedhjeve.

Berisha, avokati i Kelmendit e pyeti dëshmitaren nëse burri i saj kishte kryer vrasjen e personave me mbiemrat Hajdari, Toliq dhe Mekiq.

“Nuk kam pasur rast ta shoh aktgjykimin, por besoj se shkruan diçka e tillë”, tha Turkoviq.

Avokati i Kelmendit kërkoi të dijë nga dëshmitarja Turkoviq se pse ajo kishte deklaruar se kishte përvoja të këqija nëpër gjykata.

“Nëse kryetarja e gjykatës shtetërore thotë se ka mafi shtetërore, atëherë nuk kam arsye për të mos i besuar asaj”, tha Turkoviq.

A keni dëshmuar në gjykimin e burrit tuaj? ishte pyetja e radhës e Berishës, të cilës dëshmitarja iu përgjigj me fjalët se ishte njëra nga 18 dëshmitaret e mbrojtjes.

Berisha e pyeti dëshmitaren se a kishte njohuri që burri i saj është dënuar edhe për tentim-vrasjen e Naser Kelmendit.

“Nuk e di që ishte dënuar, por e di që Radonçiqi po i ofronte para burrit tim për ta bërë këtë, pasi që ai nuk dinte si ta hiqte qafe dhe ka kërkuar nga burri im të vendosë një bombë në veturën e tij,” tha Turkoviq.

Sheila Turkoviq punonte pikërisht në mediet e Radonçiqit, një pronari medial në Bosnjë që u shndërrua në politikan.

Bashkëshorti i dëshmitares Zijad Turkoviq në gjykimin kundër tij kishte pranuar se mori para për vrasjen e Kelmendit, por shtoi se nuk e kishte ndërmend ta kryente këtë vrasje.

Berisha më pas e pyeti dëshmitaren se a e dinte që burri i saj e kishte pranuar gjatë gjykimit të tij se ishte përpjekur ta vriste Kelmendin.

“Nuk është e vërtetë, ai ka thënë se i ishte ofruar një gjë e tillë dhe dua ta potencoj që nuk i kam shikuar te gjitha videot e gjykimit, sepse isha e neveritur t’i shikoja ato që po bëheshin në procedurën  kundër burrit tim,” tha Sheila Turkoviq.

Avokati Berisha më tutje ishte edhe më konkret-e pyeti më tej dëshmitaren se a e njihte Bekir Ibrahimoviqin që ishte kumbara i Zijad Turkoviqit dhe a e dinte se ky person kishte humbur shikimin duke u përpjekur të vendoste eksplozivin nën veturën e Kelmendit.

“Ju po gaboheni, Bakir Ibrahimoviq asnjëherë nuk është akuzuar për përpjekjeje të vendosjes së bombës në veturën e Naser Kelmendit  dhe është e vërtetë se kishte të bënte me një bombë, por ai është liruar nga akuza dhe ka qenë një rast tjetër me vendosje të bombës dhe nuk ka pasur të bëjë me Kelmendin”, tha Turkoviq.

Marrja në pyetje e dëshmitares Turkoviq do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.