Serbia Mundohet të Kontrollojë Fatkeqësinë

Derisa evakuimi i banorëve nga qyteti i Obrenovacit pranë lumit Sava vazhdon, niveli i lumit Danub po rritet.

Aleksandar Marseniq, kreu i Situatave Emergjente të martën tha se 2 mijë njerëz janë evakuuar gjatë natës nga Obrenovaci, 30 kilometra në jugperëndim të Beogradit. 

“Evakuimi i banorëve të Obrenovacit vazhdon”, tha Marseniq. 

Gjatë natës gjashtë helikopterë të policisë serbe dhe pesë të tjerë të ardhur nga jashtë për ndihmë, morën pjesë në aksione shpëtimi, or dy orë më vonë i ndaluan ato, pasi vetëm 30 persona ishin të gatshëm të hipnin nëpër helikopterë. 

Njëzet persona kanë vdekur nga vërshimet në Serbi, derisa 30 mijë njerëz janë evakuuar që nga e enjtja e kaluar kur vendi shpalli gjendje të jashtëzakonshme. 

Ministria e Brendshme deklaroi të martën në mëngjes se ekipet e shpëtimit kanë filluar të mbledhin bagëtitë e mbytura, në mënyrë që parandalojnë përhapjen e sëmundjeve infektive. 

Në ndërkohë niveli i lumit Danub vazhdon të rritet, por ende nuk ka mbërritur pikën e tij kritike. 

Autoritetet lokale në qytetet pranë Danubit dhe Moravës së Madhe në Serbinë Qendrore po punojnë për të parandaluar shkatërrimet që po shihen në Obrenovac. 

Qyteti i Smederevska Pallankës në bregun e lumit Jasenica të pellgut të Danubit, është rrethuar me ujë nga të gjitha anët, ndërsa në fotografitë e bëra nga ajri shihen kulmet e shtëpive që qëndrojnë mbi ujin e de-fakto një liqeni.

Vërshimet në Serbi-Foto Twitter

Që shtatë ditë 30 mijë banorë nuk mund ta përdorin ujin e pijes, ndërsa shkollat janë mbyllur. Autoritetet lokale thonë se dëmet janë enorme dhe ata nuk e dinë se kur do të rikthehet furnizimi me ujë i cili është ndotur. 

Gjendja është pak më e mirë në qytetin e afërt të Smederevës, ku nivelii Danubit ka mbërritur në 6.6 metra. 

25 mijë mijë thasë rëre janë vendosur përgjatë bregut të Danubit për ta siguruar mosdaljen e tij nga shtrati dhe 15 mijë të tjerë do të vendosen. 

Autoritetet gjithashtu janë duke e shikuar cilësinë e ujit të pijshëm, që tash për tash mbetet e mirë. 

Lidhja telefonike pa pagesë me numrin 112 është vënë në dispozicion për të gjithë atat që kanë nevojë për ndihmë gjatë vërshimeve. 

Njerëzit që dëshirojnë të ofrojnë ndihmë mund ta bëjnë këtë duke dhuruar ushqim, ujë, rroba dhe batanije. 

Autoritetet thanë se shiu që goditi Serbinë është më i keqi i shekullit. Të mërkurën ra shi në një ditë, në sasi të njëjtë me atë që zakonisht bie për një muaj. 

Dërgesat e ndihmave gjithashtu kanë nisur të mbërrijnë. Zyra e Presidentit tha që Emiratet e Bashkuara Arabe kanë premtuar të japin 10 milionë euro ndihmë. Edeh BE-ja ofroi ndihmë të hënën. 

Një fushatë ndihmash online për Serbinë gjithashtu është organizuar. Njerëzit kanë përdorur profilet e tyre në Twitter dhe Facebook të shpërndajnë informata për njerëzit e zhdukur dhe të tregojnë adresa të vendeve në të cilat mund të dërgohet ndihmë. Nëpër rrjetet sociale janë dhënë edhe informatat të përgjithshme rreth vërshimeve.