Ilustrim

Punëtorët e Trepçës Bojkotojnë Punën për Kushte më të Mira

Plot 180 punëtorë të ndërrimit të parë të Minierës së Trepçës, kanë bojkotuar sot punën, në shenjë revolte për kushtet e punës në të cilat ata punojnë.

Ahmet Tmava, drejtor i Trepçës, tha për KALLXO.com, se punëtorët kërkuan sot, që atyre t’u rriten pagat.

“Punëtorët e ndërrimit të parë nuk e kanë filluar punën hiç; ata janë mbledhur në sallën e minierës duke kërkuar sqarime rreth mundësve më të mëdha, sa iu përket pagave dhe kushteve të tyre sociale”, tha Tmava.

Ai tha se gjatë bisedës më ta, punëtorët e ndërrimit të dytë e kanë filluar punën.

“Kemi mbetur që ne si menaxhment i Trepçës të bisedojmë me qeverinë për mundësinë e realizimit të kërkesës së tyre”.

Punëtorët e Trepçës gjatë bisedës më Tmavën kishin kërkuar që të dihet se çka do të bëhet me ligjin për minierën e Trepçës.

KALLXO.com ka provuar që të bisedojë edhe me sindikatën e punëtorëve të Trepçës, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.