Presidentja e Shqetësuar për Ndodhitë e Mbrëmshme
Pas ngjarjeve të mbrëmshme në Kuvend dhe jashtë tij, Presidentja kërkon kthim në normalitet.
“Jam thellësisht e shqetësuar dhe e shpreh keqardhjen time të thellë për zhvillimet në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij. Skenat dhe veprimet e dhunshme në Kuvend janë të dënueshme dhe të papranueshme, mjetet e përdorura plotësisht në kundërshtim me parimet bazike të një rendi demokratik dhe një demokracie parlamentare,” thuhet në deklaratën e Presidentes Atifete Jahjaga.
Ajo kërkon kthimin e normalitetit të jetës parlamentare dhe u bën thirrje deputetëve të opozitës për heqje dorë nga dhuna.
“Apeloj te deputetët e opozitës të heqin dorë nga dhuna. Aspiratat e vendit tonë po rrezikohen thellësisht nga këto ngjarje dhe këto veprime po e dëmtojnë demokracinë që e kemi ndërtuar me mund. Apeloj te i tërë spektri politik që t’i kthehen normalitetit, që institucionet të vazhdojnë punën sepse kemi shumë sfida para vetes”, vijon deklarata e Jahjagës.
Jahjaga thotë se vetëm dialogu zgjidh probleme.
“Qytetarët që na kanë zgjedhur presin nga ne të jemi shembull i promovimit të sundimit të ligjit, respektim të procesit demokratik. Dialogu është gurthemel i demokracisë. Aty ku ka dialog, ka zgjidhje,” përfundon deklarata e Presidentes.
Para pesë ditësh Jahjaga ftoi liderët e partive politike që të takohen me të dhe të gjejnë zgjidhje të përbashkët për dalje nga situata e tensionuar pozitë-opozitë.