Polici i EULEX-it Flet për Sulmin ndaj Tij në Veri

Një polic i EULEX-it në gjykimin kundër tetë personave të akuzuar për sulm, tregoi se çfarë ndodhi më 30 maj 2012 në Zupç të Zubin Potokut.

Tetë personat akuzohen për sulm ndaj pjesëtarëve të Misionit Evropian për Sundim të Ligjit në komunën e Zubin-Potokut në dy data dhe raste të ndryshme.

Sulmi i parë kishte ndodhur në Varagë të Zubin-Potokut më 3 prill 2012, ndërsa i dyti në Zupç të së njëjtës komunë më 30 maj të të njëjtit vit.

Për këto sulme aktakuza është ngritur më 12 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa në seancën e sotme dëshmoi Majkëll Sim, pjesëtar i EULEX-it.

Sim së pari u mor në pyetje nga prokurorja Nita Amin, e cila nuk kishte shumë pyetje për këtë dëshmitar dhe shumë shpejt e përfundoi këtë procedurë.

Kryetari i trupit gjykues Darius Silicki pasi e vërejti që procedura e pyetjeve për dëshmitarin nga prokurorja zgjati shumë pak, i bërui dëshmitarit pyetje shtesë, pasi ia sqaroi atij se nuk e merr parasysh atë çfarë është thënë në procedurën paraprake, por vetëm atë që thuhet në gjykatore.

Sim u pyet nga Silicki për sulmin ndaj pjesëtarëve të EULEX-it më 30 maj 2012. Dëshmitari në fillim përshkroi atë që kishte parë para më shumë se tre vjetësh.

“Isha në veturë bashkë me kolegun tim dhe ishin duke shkuar në stacionin policor të Zubin Potokut për të krijuar dhe dhe siguruar lirinë e lëvizjes atje dhe në fshatin Zupç kemi hasur në një barrikadë të 15 ose 20 personave,” tha në fillim dëshmitari.

Pjesëtari i EULEX-it tha se i ka parë ata persona por nuk ak mundur t’i identifikojë pasi ishin mbuluar e maskuar.

“Ata kanë qenë të maskuar. Unë i kam parë, por nuk ua kam parë fytyrën. Me një mjet të fortë e kanë thyer xhamin e përparmë të veturës dhe me shkumë e kanë mbyllur gypin nga dalin gazrat e makinës për ta ndalur makinën,” sqaroi dëshmitari.

Ai bëri të ditur se rrëmuja me sulmuesit zgjati pesë minuta.

“Ajo rrëmujë aty ka zgjatur rreth pesë minuta, pastaj e kam ndezur makinën dhe e kam prekur pedalen e gazit dhe makina është ndezur dhe nuk kam shikuar asgjë tjetër përveçse kam kërkuar një vend të sigurt për t’u strehuar,” tha dëshmitari.

Ai këtë përvojë të keqe të tij e konsideroi më të rrezikshmen në karrierë.

“Gjatë përvojës time 23 vjeçare si polic asnjëherë nuk kam qenë në rrezik më të madh.,” tha polici i EULEX-it.

Në këtë proces gjyqësor për sulm ndaj pjesëtarëve të misionit evropian akuzohen

Sllobodan Sovrliq, Boban Janiçijeviq, Dragan Radulloviq, Zharko Jakshiq, Branko Gjuroviq, Urosh Bozhoviq, dhe Radolub Tomoviq.

I akuzuar është edhe Sllavolub Veliçkoviq, por procedura ndaj tij është veçuar, pasi ndodhet në arrati.

Seanca e radhës është caktuar më 4 shtator.