Përqindje e Ulët e Grave në Trupat Menaxhues të Zgjedhjeve

Sipas organizatës D4D përqindja e grave dhe vajzave në trupat zgjedhorë gjatë 2013-ës ishte 17 për qind, ndërsa në 2014-ën 20 për qind.

Kjo e dhënë doli nga hulumtimi i organizatës joqeveritare “Demokraci për Zhvillim” (D4D) i titulluar “Praktika Ndërkombëtare në Stafin e Zgjedhjeve nga Pikëpamja Gjinore”.

Ky hulumtim u prezantua sot në Prishtinë, ndërsa ka si qëllim vetëdijesimin e subjekteve politike dhe audiencës në përgjithësi për ngritje të përqindjes së grave në procesin zgjedhor.

Brikena Avdyli, zyrtare e Projektit për Gjithëpërfshirje në “Fondacionin Ndërkombëtar për Shërbime Elektorale” (IFES), tha se në shumë komuna të Kosovës gratë nuk ishin të përfaqësuara fare nëpër Këshillat Komunalë Zgjedhorë.

“Në vitin 2014, në 16 nga 28 komuna nuk ka pasur asnjë grua të nominuar nga subjektet politike për anëtare të KKZ-ve”, tha Avdyli.

Edhe Driton Qeriqi, koordinator i projektit nga D4D-ja tha se gjatë këtij hulumtimi është vërejtur që gjatë zgjedhjeve harrohet pjesëmarrja e grave nëpër trupat organizativë zgjedhorë lokalë dhe qendrorë.

“Synimi [i hulumtimit] ka qenë me i targetu personalitete të cilët janë të kyçur në subjekte politike, që kanë bërë nominimin e stafit zgjedhor nëpër partitë e tyre,” deklaroi Qeriqi.

Si barriera kryesore të përqindjes së ulët të përfaqësimit të grave u theksuan qëndrimet e shoqërisë për gratë, bindja që zgjedhjet nuk janë të sigurta dhe mungesa e vullnetit politik.

Ky projekt ka gjetur mbështetjen e USAID-it dhe IFES-it në Kosovë.