Opozitarët Tregojnë Rrugët nga do të Zhvillohet Protesta

Përfaqësues të tri partive më të mëdha opozitare kosovare “Vetëvendosjes”, AAK-së e Nismës u takuan sot për t’u marrë vesh rreth mënyrës se si do të protestohet më 18 prill 2015.

Pas takimit, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti njëherësh kryetar i Komunës së Prishtinës tregoi se marshuta protestuese do të kalojë përreth selive të institucioneve me të cilat lidhet protesta.

“ Takimi ishte i shkurtër pasi që tash gati për të gjitha pikat ka dakordim. Sot e kemi diskutuar marshutën specifike me ç’rast ato pika që i kemi ngritur për kapjen e shtetit reflektohen edhe ne marshutën e protestës. Mbledhja bëhet të Sheshi Zahir Pajaziti, pastaj te KEDS-i, Gjykata Kushtetuese dhe te RTK-ja për të përfunduar te Sheshi Skënderbeu.

Partitë opozitare pritet të protestojnë të shtunën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe për funksionim të televizionit publik dhe Gjykatës Kushtetuese.

Ahmeti tregoi edhe për përvojat e këqija si kryetar i Prishtinës me institucionet që tha se i bëjnë favore pushtetit.

“Askush më mirë se unë si kryetar i Prishtinës nuk e di çka do të thotë të ballafaqohesh me kapjen e shtetit për çdo ditë, qoftë me raste në prokurori, qoftë me vendime të gjykatave që shumë shpesh janë vendime të paarsyeshme dhe shkojnë në favor të dikujt që është i afërt, apo që është i i lidhur me pushtetin, e deri te çmimi i rrymës që e kemi ngritur zërin tashmë shumë herë ”, deklaroi Ahmeti.

Ai i dha karakter personal ditës së caktuar për protestë.

“ Unë jam optimist duke e ditur se në çfarë gjendje jemi ne si shoqëri dhe natyrisht temperaturat duken se do të jenë të mira me 18 prill. Kemi edhe Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës, e kam edhe ditëlindjen me 18 prill. Jam optimist në daljen të madhe të qytetarëve në këtë protestë”, tha Ahmeti.

Ndërsa kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se protesta e 18 prillit do të jetë protestë masovike.

“ Në protestën e ardhshme do të protestohet me dinjitet në mënyrë paqësore dhe do të jetë masovike. Vërtet që është tepruar, është tepruar nga shkalla e kapjes së shtetit, nga keqpërdorimi dhe abuzimi me qytetarin, çmimi i rrymës që është shumë i shtrenjtë”, tha Haradinaj.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe kreu i Nismës Fatmir Limaj i cili i ftoi të gjithë qytetarët e Kosovës që janë të pakënaqur me keqqeverisjen të dalin në protestën e 18 prillit.

“Prandaj dita e shtunë është dita e bashkimit të të gjithë atyre zërave të të pakënaqurve që kanë motive të ndryshme dhe duhet të afrohen që të bashkohemi që këtë zë ta ngrisim në Prishtinë, duke i ftuar që të gjithë të marrin pjesë në një protestë dinjitoze dhe paqësore dhe të mos bien në provokim dhe propagandën që elementët e koalicionit qeverisës po e shpërndajnë për të frikësuar qytetarët e Kosovës”, tha Limaj

Përfaqësuesit e tri  subjekteve opozitare Vetëvendosje, AAK dhe Nisma priten të takohen edhe dy herë të tjera para protestës së 18 prillit 2015.