Opozita Reagon Ndaj Masave që do të Merren në Kuvend

Pasi Kryesia e Kuvendit vendosi të kontrollojë deputetët, reagoi opozita duke i cilësuar vendimet e sotme të papranueshme.

Kryesia në mbledhjen e sotme vendosi që secili person që hyn në Kuvend do t’u nënshtrohet kontrolleve të sigurisë që përfshijnë bagazhet dhe çantat e dorës.

Ky vendim hyri në fuqi menjëherë për të parandaluar futjen e mjeteve të ndaluara në sallën e mbledhjeve dhe në hapësirat tjera të Kuvendit, pasi të enjten e kaluar në seancë u hodh edhe lotsjellës nga opozita.

Masat e kontrollit të miratuara në mbledhjen e sotme i kundërshtoi opozita me anë të një njoftimi për medie.

“Konsiderojmë se këto janë metoda të shtetit policor që dhunon deputetë, arreston kundërshtarët politikë dhe ndalon deputetët të futen në Kuvend,” thuhet në reagimin e opozitës.

Tri partitë opozitare thonë se me veprime të tilla “policia po i mbivendoset demokracisë”.

Të martën drejtori i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni kur foli për KALLXO.com tha se nga hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend policia është duke bërë një analizë nga e cila do të dalin nevojat për masa shtesë të sigurisë në këtë objekt.

“Seanca e kaluar nxjerr në pah nevojën për një analizë më të detajuar për modelin e ofrimit të sigurisë për këtë institucion për vetë faktin se brenda Kuvendit deputetët kanë arritur të fusin gjësende të kundërligjshme,” tha Maxhuni.

Përfaqësues të “Vetëvendosjes” po dje thanë se do të vazhdojnë kundërshtimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe demarkacionit, duke penguar edhe mbledhjen e nesërme të Kuvendit.

Në reagimin kundër vendimeve të sotme të Kryesisë së Kuvendit, opozita veprimet e saj i konsideron të ligjshme.

“Veprimi politik opozitar është tërësisht legjitim,” thuhet në reagimin e “Vetëvendosjes”, AAK-së dhe Nismës.