Nxënësit Mësojnë me Vështirësi në Pritje të Rinovimit të Shkollës

Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Adem Voca” në fshatin Pasomë të Komunës së Vushtrrisë i ka vetëm pesë klasë në të cilat në dy ndërrime mësojnë 173 nxënës, ndërsa i mungojnë uji i pijshëm, laboratorët e kimisë e fizikës dhe kabinetet e teknologjisë informative dhe biologjisë.

Shkolla ka shumë probleme infrastrukturore, ndërsa tualetet e saj janë në gjendje shumë të keqe.

Maksut Sadiku, drejtori i shkollës më së shumti ankohet se lënda e teknologjisë informative mësohet në mënyrë teorike.

“Teknologjia Informative dhe Komunikimi mësohet me shënime, s’kemi hapësirë për kabinet. Një kompjuter e kemi të pesëdhjetë eurove. TIK-u me u mësu në këtë shekull me shënime! Unë jam profesor i historisë, por e di që nuk ia vlen ai mësim, është mësim-lodhje koke”, thotë Sadiku.

Arsimtari i lëndës së Teknologjisë Informative dhe Komunikimit, Fatos Zymberi tregon se kur ata kanë në plan mësimor anën praktike të asaj çfarë kanë mësuar në teori, ai e merr llaptopin e tij personal dhe me të ua demonstron nxënësve njësinë e caktuar mësimore.

Edhe arsimtari i matematikës Avdush Zymberi që ka përvojë tridhjetëvjeçare të mësimdhënies në këtë shkollë thotë se veglat gjeometrike me të cilat punon tash janë shumë më të papërshtatshme sesa ato kur ai kreu gjimnazin.

“Sot i kemi disa vegla të gjeometrisë që sigurisht edhe kolegët i kanë kështu që janë shumë të dobëta, bile për një konsultim gjeometrik duhet me punu dy nxënës në tabelë. Njëri me mbajt një vegël, njëri një tjetër, sepse janë të papërshtatshme por po ia kalojmë disi”, shpjegon Zymberi.

Drejtori i Arsimit në Vushtrri Musaj Tërbunja thotë se sivjet nuk është paraparë kompletimi i shkollës me kabinete e laboratorë.

“Komuna ka për qëllim që vitin e ardhshëm lokalin ekzistues me kompletuar, duke filluar prej pjesës së jashtme dhe të brendshme dhe pajisjen me banka, karrige dhe kabinete”, tregon  Tërbunja

Kryetarja e shkollës Albulena Bilalli ankohet se në këtë objekt gjatë dimrit bëhet shumë ftohtë.

“Gjatë sezonit të dimrit edhe mësimi nuk mbahet ashtu siç duhet, sepse vendi më i preferuari i çdo nxënësi sigurisht që është rreth stufës edhe ashtu një lloj forme arrijmë me mbajtë mësimin. Është shumë ftohtë edhe kjo na imponon që mësimi të mos zhvillohet në kushte normale”, rrëfen Bilalli.

Drejtori i arsimit në Vushtrri Musaj Tërbunja thotë se ambienti i shkollës edhe kështu si është nuk rrezikon shëndetin e nxënësve.

“Nuk besoj që ambienti është i atillë që të vijë deri te rrezikimi i shëndetit të nxënësve”, thotë Tërbunja.

Edhe Maksut Sadiku, drejtori i shkollës objektin e konsideron të qëndrueshëm por thotë se ai duhet të zgjerohet.

Ai tregon se deri në muajin prill objekti pritet të ketë pamje tjetër, pasi ai do të rinovohet.

“Do të bëhet ngjyrosja e shkollës brenda dhe jashtë, do të ketë vizatime çdo klasë ndryshe nga klasa tjetër. Ata do t’i bëjnë vizatimet me qëllim që me qenë më i përshtatshëm ambienti për procesin edukativo-arsimor,” thotë drejtori.

Ai nuk e di nëse do të ndërrohet edhe inventari.

“Do të ketë dërrasa të zeza do të ndërrohen, më kanë thënë dhe kjo nuk është e sigurt do të ketë banka dhe karrige të reja për të gjithë në nivel të shkollës dhe krejt donacioni do të rrumbullakësohet me 10 mijë euro”, rrëfen drejtori i shkollës.

Rinovimin e përmend edhe drejtori i arsimit.

“Për këtë vit është paraparë që të bëhet lyerja e objektit dhe sanimi i disa prej defekteve që kanë ardhë për shkak se kulmi ka pikuar, ndërsa në rishikim të buxhetit nëse të hyrat vetanake rrjedhin ashtu qysh ka planifikuar komuna, mund të bëhet edhe një pjesë, edhe një investim dhe gjasat janë që kjo të ndodhë në kulm”, tha Tërbunja.

Por nuk është vetëm objekti i shkollës aktualisht i pakompletuar. Edhe rruga që çon te ajo është e shtruar vetëm me zhavorr.

Për rrugën drejt shkollës ankohet banori i Pasomës Hamit Hyseni.

“Nxënësit udhëtojnë një kilometër prej atje dhe nuk janë në gjendje me ua rregullu rrugën,” rrëfen Hyseni.

Objekti i shkollës “Adem Voca” shërbeu si kazermë për forcat e UÇK-së në periudhën korrik 1998-qershor 1999.