Ministria e Kulturës, Fundosur në Borxhe të Pajustifikuara

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), e cila për tre vjet në mandatin e kaluar ishte udhëhequr nga ministri i tanishëm i Bujqësisë, Memli Krasniqi, ka lënë një paraqitje kaotike të parave të marra nga donatorët dhe llogari të pambyllura të asaj kohe.

Ministria ka akumuluar borxhe të mëdha, në shuma financiare të cilat janë të paqarta sesi janë vënë në përdorim.

Vehbi Miftari, zëdhënës në MKRS, e cila tani udhëhiqet nga ministri Kujtim Shala, tha për Gazetën “Jeta në Kosovë”, se borxhet e gjetura në Ministrinë e Kulturës nga udhëheqësia e kaluar janë milionëshe.

“Kabineti ynë ka trashëguar një gjendje aspak të këndshme mbi një milion e treqindmijë euro borxhe, 830 mijë nga të cilat vetëm në subvencione, që nënkupton se buxheti i vitit 2014 është realizuar në mospërputhje me planifikimin”, u shpreh Miftari.

Ai tha se për gjendjen e krijuar në këtë ministri, fajtor është vetëm pushteti i kaluar.

Miftari vuri në dukje se mjetet nuk janë ndarë ashtu si janë paraparë nga ata në fillim. Ai vëren se mjetet e parapara për institucionet publike, jo rrallë herë u janë ndarë nismave private në kundërshtim me ligjet mbi financat publike.

Ai tha se udhëheqësia e tanishme e kësaj ministrie ka ndërruar politikat e saj në këtë drejtim.

“Ne u kemi siguruar kode te veçanta buxhetore institucioneve të kulturës dhe po këtë po e bëjmë edhe me institucionet e trashëgimisë kulturore”, u shpreh Miftari.

Ai tha se institucioneve të kulturës në fillim të vitit do tu ndahet një buxhet me të cilin ata do të menaxhojnë shpenzimet e tyre dhe do të pavarësohen financiarisht duke menaxhuar me paratë e mara në fillim të vitit.

Miftari vërejti se ministria ka edhe shumë avanse të pambyllura mbi 7 milionë euro të ndara për projekte të ndryshme në katër vitet e fundit nuk janë arsyetuar kurrë sipas tij udhëheqësia e tanishme po mundohet t’i riparojë dëmet.

“Kjo shumë ka rënë nën 5 milionë. Megjithatë, ne jemi të vendosur që lëndët për të cilat mjetet nuk arsyetohen ose nuk i kthehen buxhetit te shtetit, përmes Ministrisë së Drejtësisë si përfaqësuese e jona, t’i procedojmë te organet përgjegjëse”, tha Miftari.

Ai thotë se gjatë ndarjes së subvencioneve për këtë vit, u është bërë e qartë secilit institucion, kompani a organizatë se, pavarësisht se mund t’u jenë ndarë mjete për projektet e tyre, ata nuk do të mund t’i marrin ato asnjëherë nëse kanë avanse të mëhershme të pambyllura.

Për gjendjen e krijuar në këtë ministri, Shkëlzen Dragaj ish-zëdhënës i kësaj Ministrie, i kontaktuar nga Gazeta “Jeta në Kosovë” nuk deshi të komentojë.

Auditori gjen parregullsi

Edhe raporti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm thotë se meanxhimi i parasë në këtë Ministri nuk ka qenë i mirë.

Sipas raportit të vitit 2013 pasaktësitë kanë të bëjnë me mungesë të informatave të sakta për pasuritë, si dhe paraqitje jo të saktë të donacioneve dhe avanceve të pambyllura .

Auditori thotë se kjo ministri nuk i ka marrë kurrë për bazë rekomandimet e vitit 2012 dhe të viteve të mëparshme.

Sipas raportit të Auditorit, pasqyrat vjetore financiare duhet të jenë në përputhje me kornizën e caktuar raportuese, por në këtë ministri, Auditori ka gjetur se vlera e prezantuar ishte 1 milion e 85 mijë e 125 euro, ndërsa shuma e saktë e buxhetit final ishtë 1 milion e 492 mijë 769 euro, duke e nënvlerësuar atë për 407 mijë e 644 euro.

“Disa projekte të subvencionuara nga Ministria e Kulturës figuronin si të pambyllura në vlerë prej 14 mijë e 133 eurosh kur realisht ishin të mbyllura” thotë raporti i Auditorit.

Auditori vërren se në katër raste, MKRS kishte çertifikuar pagesa prej 8 mijë e 620 eurosh për mbulimin e shpenzimeve shëndetësore, të cilat nuk reflektojnë aktivitetet bazë të Ministrisë.

“Tre prej këtyre përfituesve ishin zyrtarë të MKRS-së, ndërsa pagesa ka qenë e kryer me aprovimin e Sekretarit të Përgjithshëm”, thuhet në raport.

Auditori përmes raportit të tij paralajmëron se pagesat për aktivitete që janë jashtë kompetencave të ministrisë janë të parregullta, ndërsa pagesat e kategorive tjera të shpenzimit nga kategoria e subvencioneve reflektojnë keqmenaxhimin e shpenzimeve në këtë ministri.

Auditori vëren se për trajnimet për formulimin e ideve të biznesit dhe zhvillimin e biznes planeve në vlerë prej 39 mijë e 816 euro, nga përfituesi nuk janë sjellë faturat me vlerë prej 4 mijë e 930 euro dhe informatat për transferet bankare.

Në 10 raste me vlerë totale prej 102 mijë eurosh projektet e subvencionuara janë mbyllur me disa muaj vonesë, ndërsa kontrata kërkon mbylljën 30 ditë pas përfundimit.

Raporti i Auditorit ka rekomanduar këtë ministri që të analizojë situatën e krijuar me detyrimet duke hetuar dhe raportuar pengesat e moskryerjes në kohë të obligimeve.

“Në veçanti të analizohen obligimet për projektet e pafilluara për të gjetur shkaqet e paraqitjes së tyre si obligime të papaguara”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori i kishte rekomanduar ministrisë që të sigurojë analiza të hollësishme për fondet e nevojshme buxhetore, për të balancuar kërkesat buxhetore me fondet dhe kapacitetet reale të realizimit të buxhetit.

Ndërkohë ka kërkuar të bëhen analiza të kohëpaskohëshme mbi rrjedhën e procesit të realizimit të buxhetit për t’iu përmbajtur planifikimit buxhetor gjë që kjo ministri nuk e kishte bërë.

Kallxo.com ka bërë kërkëse për qasje në dokumente publike te sekretari i kësaj ministrie Veton Firzi por ky institucion ende nuk ka kthyer përgjigje për kërkesën në fjalë.