'Mbin' Pa Leje Ndërtesa Pranë Shtëpive të Banimit në Ferizaj

Është ngritur pa leje kati i parë i një ndërtese në Ferizaj, ndërsa atë e ka ndërprerë përkohësisht reagimi qytetar.

Banorët e Lagjes “Gjon Serreçi” në Ferizaj janë të indinjuar me nisjen e ndërtimit të një banese kolektive në afërsi të shtëpive të tyre në veç 5 ari truall. Ndërtesa nuk posedon as leje ndërtimi.

Xhemajl Aksaraj e ka shtëpinë e tij ngjitur me këtë ndërtesë e cila ka filluar të ndërtohet, ndërsa ka ardhur nga Gjermania ku punon për ta ndaluar këtë ndërtim.

“Kam shkuar në inspektorat, jam takuar me ata. Mua më thanë është e vërtetë që nuk kanë leje, mirëpo leja sigurisht ka me ju dhanë,” thotë Aksaraj.

Inspektori ferizajas Xhemajl Tahiri nuk deshi të flasë për këtë rast e as nuk komentoi takimin me Xhemajl Aksarajin.

Por zëdhënësi i Komunës së Ferizajt Naim Ferati tha se pushteti lokal në këtë qytet ka njohuri për ndërtesën e nisur.

Ferati nuk e përjashtoi mundësinë që objekti i nisur i banimit kolektiv të marrë leje ndërtimi.

“Nëse ky objekt i plotëson kriteret e nevojshme, atëherë do të ketë mundësinë të pajiset me leje ndërtimi. Nëse ndodh e kundërta, atëherë institucionet e komunës janë të detyruara t’i përcjellin të gjitha normat jurdike që i ka paraparë ligji që të fillojnë me ekzekutimin e rrënimit të kësaj hapësire,” thotë Ferati.

Arben Marevci, po ashtu banor i lagjes “Gjon Serreçi” dyshon se punët në këtë objekt do të ndërpriten.

“Përkohësisht është ndalë puna e ndërtimit, por sigurisht sipas të gjitha gjasave kjo punë do të vazhdojë prapë,” thotë Marevci.

Ai tregon se punët e deritashme në këtë ndërtesë janë kryer me shpejtësi deri në orët e vona të natës  dhe gjatë fundjavave, ndërsa bëri me dije se banorët e lagjes e kanë pasur vështirë të flenë nga zhurma.

Ismet Kamenica, njeriu që ka nisur këtë ndërtim, thotë se nëse merr leje do ta vazhdojë punën pavarësisht kundërshtimit të banorëve.

“Çka thojnë banorët se di, nëse më jepet leja gjithsesi se do të vazhdoj me ndërtimin. Arkitekti që ka punuar këtu më ka thënë që po, mund ta marr lejen,” thotë Kamenica.

Por Xhemajl Aksaraj bën me dije se askush nuk mund të ndërtojë pa marrë lejen e fqinjve.

”Ne jemi si një familje këtu që nga 1968, e me u çu dikush me ardhë me një truall me 5 ari me të egër me ndërtu pa pëlqimin e kojshive, është skandaloze,” thotë Aksaraj.

Ndërtimet pa leje janë njëri nga problemet mjaft shqetësuese në Ferizaj.