Kujtohet Ibrahim Rugova Si Njeri dhe Lider

Drejtues dhe përfaqësues të LDK-së kujtuan sot ish-presidentin Ibrahim Rugova që vdiq nga një sëmundje e rëndë nëntë vjet më parë.

Ata u mblodhën për të nderuar te varri i Rugovës.

Kryeministri Isa Mustafa tha se partia që tash drejton ka një kujtim të veçantë për ish-presidentin.

“E shënojmë një kujtim të madh që e kemi. Për të shprehim respektin e madh për veprën e tij dhe për përkushtimin e tij për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës,” deklaroi Mustafa.

Pranë Mustafës qëndroi edhe Sabri Hamiti, anëtar i Kryesisë së Kuvendit dhe nënkryetar i LDK-së.

Hamiti tha se miqtë e hershëm të ish-presidentit e respektojnë edhe njeriun Ibrahim Rugova, e jo vetëm liderin shtetëror që Kosova ka pasur.

Duke folur për veprën e Rugovës, Hamiti tha se ajo është trashëgimi politike për vendin.

“Nuk është veç një vepër e kryer, por edhe një trashëgimi edhe politike edhe konstitucionale për Kosovën edhe sot, edhe nesër” u shpreh Hamiti.

Të pranishëm u panë edhe shumë figura të tjera të LDK-së, por jo edhe të subjekteve të tjera.

Dr.Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944, ndërsa vdiq me 21 janar 2006.

Për katër vjet ishte kryetari i parë i Kosovës, i pranuar ndërkombëtarisht në periudhën kur vendi bashkëqeverisej me UNMIK-un.

Prej vitit 1989 deri në vdekje qëndroi në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës.