Kreu i AKR-së Ngushëllon Familjen e Asamblistit Olloni

Në një letër drejtuar familjes së Gent Ollonit, kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli ngushëlloi për vdekjen e asamblistit të partisë së tij.

“E nderuara familje Olloni, pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e bashkëshortit, babait dhe djalit tuaj të dashur. Do të na mungoje te gjithëve energjia, angazhimi dhe puna e tij e palodhshme që ai ia përkushtoi kauzës dhe vizionit të AKR-së, në interes të të gjithë qytetarëve të Gjakovës,” thuhet në ngushëllimin e Behgjet Pacollit për familjen e asamblistit që vdiq sot.

Pacolli në letër tregon se ndodhet jashtë vendit dhe nuk mund të jetë pranë familjes së të ndjerit në këto çaste pikëllimi, por lutet që shpirti i Gent Ollonit të prehet në paqe.

Olloni përveç asamblist, ishte edhe sekretar i degës së AKR-së në Gjakovë.

11:53

Vdes Asamblisti i AKR-së në Gjakovë, Gent Olloni

Ka ndërruar jetë asamblisti i AKR-së në Gjakovë, Gent Olloni. Ai gjatë mbledhjes së sotme të Asamblesë Komunale në Gjakovë, ka pësuar infarkt (atak kardiak), ndaj te cilit menjëherë, aty në sallë, kanë ndërhyrë asamblistët Jeton Vorfi (AKR) dhe Luan Golla (LDK) me profesion mjekë, për t’ia dhënë ndihmën e parë.

Më pas është thirrur emergjenca. Pas arritjes në emergjencë ai ka ndërruar jetë. Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe mjeku kujdestar i emergjencës, Afrim Dervishi.