Kosova Shënon Rënie të Vdekjeve në Vendet e Punës

Sot në Prishtinë u hap fushata vetëdijesuese e quajtur  “Siguria dhe Shëndeti në Punë dhe Puna Formale”, me qëllim të vetëdijesimit të punëdhënësve dhe punëmarrësve në Kosovë që të mos shkelin Ligjin e Punës dhe Ligjin e Sigurisë në Punë.

Sipas Inspektoratit të Punës gjatë vitit 2014 janë shqiptuar 171 gjoba për bizneset të cilat kanë shkelur Ligjin e Punës.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi tha se siguria dhe shëndeti në punë nuk është në nivel të duhur sepse gjatë viti 2014 ka pasur nëntë raste që kanë përfunduar me fatalitet në vendin e punës, mirëpo në krahasim me vitet paraprake ka rënie të vdekshmërisë së punëtorëve.

“Në qoftë se e krahasojmë me vitin 2012 dhe 2013 në të cilin kemi pasur nga 17 raste të vdekjes në vendin e punës ka rënë numri i vdekshmërisë në vendin e punës, por ne dëshirojmë që vendi i punës të jetë më i sigurt”, tha Ibrahimi.

Ndërkaq, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi tha se kjo fushatë do të zgjasë gjatë muajit prill me qëllim të përmirësimit të kushteve në punë.

“Ideja e kësaj ndërmarrjeje është që të fillojmë një fushatë e cila fokusohet në përmirësimin e kushteve të punës për vetë punëtorët, por gjithashtu duke i ndihmuar edhe bizneset pasi që mendojmë në ato biznese ku ka dialog në mes punëtorëve dhe punëdhënësve, ato biznese funksionojnë më mirë”, u shpreh Abrashi.

E, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi u shpreh se zgjidhjen e problemit të sigurisë në punë duhet kërkuar te partneriteti punëdhënës-punëmarrës dhe qeveri.

“Ne e kemi të ndërtuar një partneritet punëdhënës-punëmarrës- qeveri dhe besoj se ky partneritet shqyrton të gjitha problemet në mes të punëdhënësve dhe punëmarrësve, njëkohësisht qeveria pastaj duhet t’i nënshkruajë [marrëveshjet] nëse dëshirojmë të shkojmë në Evropë”, deklaroi Arifi.

Kjo fushatë do të zgjasë deri më 28 prill, ndërsa do të përcillet me aktivitete të ndryshme siç është transmetimi i spotit televiziv në Radio Televizionin e Kosovës dhe shpërndarja e fletushkave e vendosja e  billbordeve në gjithë Kosovën.