Ivo Josipoviq Themelon Parti të re Majtiste

Ish Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, dhe figura të larta të social-demokratëve kroatë, thanë të martën se ai është duke e formuar partinë e tij të qendrës së majtë me të cilën do të garojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Josipoviq tha për televizionin N1 se është gati ta formojë partinë e re.

“Do të jetë një parti e njerëzve të rinj dhe atyre që tashmë kanë bërë karrierën e tyre. Emrat le të mbesin sekret tash për tash”, tha ai.

Asambleja themeluese do të mbahet në mes të majit dhe partia do të fokusohet në reformat që nuk janë zbatuar asnjëherë nga qeveritë e kaluara, duke ofruar zgjidhje të reja, tha Josipoviq.

“Nuk kishte gatishmëri për reformat e mia kështu që tani unë po kërkoj një parti të dytë të qendrës së majtë”, tha ai kur u pyet pse po ndahej nga partia e tij e vjetër, Partia Social Demokrate e cila e udhëheq qeverinë e vendit.

“Mungesa e reformave është problemi më i madh i kësaj qeverie. Praktika ka treguar se në institucionet tona janë shumë probleme, për shembull, ngadalësia e procedimeve ligjore dhe rregulloret e paarsyeshme që e ngadalësojnë ekonominë”, tha Josipoviq, duke e akuzuar qeverinë se po përgjigjet shumë ngadalë ndaj krizës ekonomike.

Ai poashtu la të kuptohet se do të provojë ta mbledhë një koalicion të partive të së majtës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Analisti politik Zarko Puhovski tha se Josipoviq po synon “një mundësi të dytë në politikë” pasi së fundi i humbi zgjedhjet presidenciale.

“Ai nuk dëshiron të jetë një ish-President, një ish zyrtar i lartë, pasi që është shumë i ri për këtë… Kjo ishte mundësia e vetme, sepse nëse do t’i bashkohej partisë së vjetër, do ta largonte ndokënd”, tha Puhovski.

Më herët, Josipoviq kishte thënë se ai nuk dëshiron ta largojë kryeministrin Zoran Milanoviq nga kreu i partisë por as të shërbejë nën drejtimin e tij.

Duke dhënë parashikimet për rezultatet e pritshme të partisë së re, Puhovski tha se gjithçka varet nga njerëzit të cilët ai i mbledhë në parti dhe partnerët e koalicionit që do të mund t’i tërheqë.

Josipoviq ishte anëtar i Partisë Social Demokrate deri kur u bë President i vendit në vitin 2010. Ai e braktisi partinë për shkak të kërkesave që Kushtetuta paraqet për kreun e shtetit.

Në janar të këtij viti, ai humbi zgjedhjet presidenciale me një rezultat të ngushtë nga kandidatja e qendrës së djathtë, Kolinda Grabar- Kitaroviq.