Isa Mustafa Refuzon Ftesën e Visar Ymerit për Debat Televiziv

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa refuzoi sfidën e hedhur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje V isar Ymeri për një debat televiziv.

Ymeri e kritikoi shefin e qeverisë në një komunikatë për media, duke thënë se në një dalje në televizionin publik RTK, ai kishte gënjyer për marrëveshjen e Asocacionit të Komunave Serbe, apo siç e quajnë Vetëvendosje, “Zajednica”.

“Në vend se të kërcënojë me gjuhë ‘burrnie’, Isa Mustafa duhet ballafaquar me argumente. Prandaj e ftoj në një debat publik për të diskutuar për Zajednicën, dëmin që ajo e shkakton, dhe rrezikun që i kanoset Kosovës nga ajo. Mediumin dhe gazetarin le ta zgjedh ai se kështu është mësuar”.

Përgjigja nga Zyra e Kryeministrit erdhi rreth një orë më vonë, dhe komunikata binte dakord për të mos e kryer debatin në televizion.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, rishpreh gatishmërinë e plotë për të zhvilluar debat shterues dhe me argumente, brenda institucioneve të Kosovës, lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel, më datë 25 gusht 2015”, thuhet në komunikatë.

E thënë ndryshe, debat në kuvend dhe rrethana të tjera formale, por jo në media.