Isa Mustafa: Nuk ka Arsye për Grevë në Trepçë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha sot se nuk ka arsye për minatorët e Trepçës që të futen në grevë.

Kreu i qeverisë së vendit u shpreh se punëtorët janë të sigurt, ndërsa çështja e kombinatit, sipas tij, kërkon kohë për t’u zgjidhur.

Por, Mustafa tha se nuk ekziston ndonjë problem me Trepçën pasi që “me ligj çdo gjë është e rregulluar”.

“Unë mendoj se ne e kemi zgjidhur problemin e Trepçës me ligjin që është aprovuar në Kuvendin e Kosovës për organizimin e Ndërmarrjeve me ligj do të përcaktojmë edhe mënyrën e organizimit të Trepçës”, u shpreh kryeministri sot në Prishtinë.

Mustafa tha se pritet të kompletohet Bordi i Agjensionit Kosovar të Privatizimit i cili do të mund të procedojë me të gjitha çështjet në këtë periudhë ndërsa Qeveria dhe Kuvendi do të jenë aktive

Mustafa tha se borxhet që po i atribuohen Trepçës mund të jenë vetëm pretendime.

“Borxhet janë pretendime të cilat ne nuk i dimë se a janë të sakta. Duhet të vërtetohen në procedurë ligjore. Nuk e ngarkojnë këta njerëz as buxhetin, as Trepçën. Kur vërtetohen ligjërisht atëherë pretendimet e tyre bëhen ligjore”, tha Mustafa.

Ai tha se mbrëmë ka biseduar me drejtuesit e Trepçës dhe u ka sugjeruar që të mos ndërpritet puna duke këmbëngulur që minatorët duhet të dalin nga miniera dhe të vazhdojnë punën normalisht.