Hacker-i Kosovar i ISIS-it Arrestohet në Malajzi

Autoritetet e sigurisë kanë arrestuar një hacker kosovar në Malajzi, i cili akuzohet se ka vjedhur informacion personal të anëtarëve të forcave të armatosura të SHBA dhe ia ka dhënë ISIS-it.

Ardit Ferizi, një shtetas kosovar nga Gjakova, u kap në Malajzi pas një urdhër-arresti të Shteteve të Bashkuara.

Sipas kallëzimit penal, Ferizi hyri në një sistem kompjuterësh të një kompanie në SHBA dhe vodhi informacion personal të më shumë se 1000 anëtarëve të ushtrisë dhe punonjësve federalë.

Më pas, ai ua kaloi këtë informacion disa figurave të ISIS-it, duke përfshirë një propagandist të njohur të grupit, sipas kallëzimit.

Zëvendës-prokurori i Përgjithshëm i SHBA, John Carlin, e quajti çështjen ndaj Ferizit – e cila përfshin një kombinim të terrorizmit me krimin kibernetik – “të parën në llojin e saj”.

“Ky arrestim tregon vendosmërinë tonë për të përballur dhe goditur përpjekjet për të shënjestruar amerikanët, pavarësisht formës në të cilën ato ndodhin”, tha Carlin në një deklaratë.

Lidhjet me propagandistin e njohur të ISIS

Kallëzimi penal pretendon se ka një arsye të bazuara për të besuar se Ferizi hyri në një server si hacker dhe vodhi emra dhe të dhëna personale për më shumë se 130 ushtarakë amerikanë dhe të punësuar të tjerë. Kjo listë u publikua online në gusht të këtij viti nga një grup që e quan veten “Divizioni i Hacker-ëve të ISIS”.

“Ne po nxjerrim të dhëna konfidencial, dhe po ia kalojmë informacionin tuaj personal ushtarëve të kalifatit, të cilët me lejen e Allahut do t’ju presin qafën në tokat tuaja”, thuhet në mesazh.

Të dhënat e ushtarakëve, përfshi adresa dhe foto, u vodhën nga Ferizi dhe iu kaluan Junaid Hussein, një hacker britanik i cili ishte aktiv në mediet sociale për të rekrutuar perëndimorë për t’iu bashkuar ISIS-it, thotë autoritetet.

Ushtria e SHBA njoftoi në gusht se kishte vrarë Hussein në një bombardim në Siri, ndërsa drejtonte të ashtuquajturin Kalifatin Kibernetik.

Pas publikimit të listës në të njëjtin muaj, zyrtarët e Pentagonit thanë se po kryenin hetime.

“E kemi marrë shumë seriozisht, sepse është e qartë çfarë po mundohen të bëjnë”, tha gjenerali Raymond Odierno, shefi i stafit të ushtrisë në atë kohë.

I dyshuari drejtoi hacker-ët e Kosovës

Sipas akuzës, Ferizi besohet se ka qenë lideri i një grupi hacker-ësh, të njohur si “Kosova Hacker’s Security”.

Policia malajziane tha se 20 vjeçari kishte shkuar atje në gusht të vitit 2014 që të studionte Shkenca Kompjuterike dhe Forenzikë Kompjuterike në një kolegj në Kuala Lumpur.

Autoritetet malajziane e kishin monitoruar Ferizin prej disa muajsh pasi kishin marrë informacion nga FBI-ja.

Ferizi u arrestua në 15 shtator në Kuala Lumpur, dhe pret ekstradimin për në Shtetet e Bashkuara.

Burimi: CNN