Dyshimet për Konkursin e QKMF-së në Ferizaj

Qendra e Kryesore e Mjekësisë Familjare në Ferizaj, më 24 nëntor 2014 shpalli konkurs për pozitën “Shef për buxhet dhe financa”. Pasi aplikuan kandidatët, Komisioni Vlerësues e sheh që kërkesa e konkursit për kualifikimin e kandidatëve nuk është e qartë, pasi që është kërkuar vetëm ‘Fakulteti Ekonomik’ dhe nuk është përcaktuar niveli i diplomimit – baçelor apo master.

Komisioni vlerësues më 22 dhjetor 2014 kërkon nga QKMF-ja ta interpretojë këtë pozitë pune dhe si dhe kualifikimin që kërkohej.

Në po të njëjtën ditë, QKMF-ja kthen përgjigje dhe sqaron se “Të gjithë kandidatët që kanë të mbaruar Fakultetin Ekonomik ose masterin në ekonomi e plotësojnë këtë kusht”.

Kryesuesi i Komisionit Vlerësues, Afrim Rexhepi, thotë se pas shqyrtimit të dokumentacionit të kandidatëve kanë parë shpërputhje karshi asaj që është kërkuar në konkurs.

“Gjatë verifikimit të dokumentacionit të personave që kishin konkurruar vërejtëm se ishin në shpërputhje me konkursin dhe me automatizëm konkursi  prishej,  për shkak se nuk i plotësonin kushtet  ata që kishin konkurruar. Për këtë arsye,  në formë të shkruar Komisioni ka kërkuar nga personi zyrtar i QKMF-së një interpretim të konkursit, e që me automatizëm ai interpretim e ka anuluar konkursin”, tha Rexhepi.

Por interpretimi i QKMF-së ka mjaftuar si bazë për Komisionin Vlerësues që ta anulojë konkursin, me arsyetimin se ky sqarim automatikisht ka eliminuar nga gara 90 për qind të kandidatëve.

Përveç sqarimit për kualifikimin e kërkuar në konkurs, po ashtu edhe pozita e kërkuar ishte ndryshuar – nga ajo “Shef për buxhet dhe financa” ishte bërë “Zyrtar për buxhet dhe financa”. Drejtori i QKMF-së, Asllan Bajrami, e sqaron pse ka ndodhur ky ndryshim.

“Këto kanë qenë arsyet, ecuria ka qenë ashtu që komisioni ka bërë kërkesë te unë, që zyra juridike jonë, personi i cili është jurist dhe ka bërë edhe përpilimin e konkursit të japë përgjigje zyrtare të cilën unë e kam aprovuar, ka dhënë përgjigje zyrtare për interpretimin e konkursit dhe kësaj pike, përsëri komisioni nuk ka qenë deri në fund i qartë dhe ka bërë një kërkesë që të rishpallet dhe të precizohen mirë fakulteti, përvoja e punës dhe pozicioni i shefit të eliminohet por të jetë “zyrtar për buxhet dhe financa”, tha Bajrami.

Pas qartësimeve të bëra në konkurs, ai u rishpall më 26 janar 2015 si “Zyrtar për buxhet dhe financa”. Sipas interpretimit të zyrtarit ligjor të QKMF-së, të gjithë kandidatët që kanë kualifikim baçelor dhe master në ekonomi e plotësonin këtë kusht.

Pavarësisht vlerësimeve të QKMF-së dhe Komisionit Vlerësues, ka dikush që dyshonte se procesi po manipulohej për t’ia siguruar këtë pozitë kandidatit të caktuar.

Më 24 nëntor 2014, pikërisht në ditën kur ishte shpallur konkursi, një qytetar raportoi në Kallxo.com për dyshimet e tij se në këtë konkurs do të pranohej Vlora Zariqi – vajza e nënkryetarit të Komunës së Ferizajt, Xhavit Zariqi.

Partitë opozitare këtë e shohin si konflikt interesi. Ata thonë se ka pasur kandidat me kualifikim më të lartë që nuk është pranuar.

Burim Ademi nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se në konkurs ka pasur kandidatë me shkollim më të lartë dhe përvojë pune që nuk janë pranuar.

“Ne e dimë që së fundmi  është edhe një familjar i nënkryetarit  të komunës i punësuar në QKMF në Ferizaj si zyrtar financiar. Në konkurs ka pas edhe më të përgatitur. Te ne janë lajmëruar tre-katër individë që kanë konkurruar me master, me përvojë, dhe nuk janë përzgjedhur, është përzgjedhur e afërmja e kryetari të komunës, pa përvojë pune e sapo diplomuar”, thotë Burim Ademi.

Gazmend Bytyqi nga PDK-ja thotë se pranimi i vajzës së nënkryetarit të komunës në QKMF paraqet konflikt interesi.

“Rasti i punësimit të vajzës së nënkryetarit të Komunës në njërën nga pozitat kryesore të QKMF-së në Ferizaj, konsiderojmë se paraqet konflikt të rëndë interesi”, thotë Bytyqi.

Drejtori i QKMF-së dyshimet ndaj konkursit i sheh si çështje perceptimi.

“Dyshimi  unë kujtoj si kategori është rruga më e shkurtë për të ardhur tek e vërteta. Nuk shoh asgjë të keqe kur njerëzit në këtë kohë ku po jetojmë dyshojnë në gjithçka. Por unë mund të them se me angazhimin tuaj dhe të qytetarit, unë  nga pozicioni im dhe nga atë që ma mundëson pjesa juridike  do të shtoj transparencën në ecurinë e këtij konkursi”, thotë Bajrami.

Anëtar i Komisionit Vlerësues ishte edhe Musa Ibishi, me profesion ekonomist në cilësinë e përfaqësuesit të komunës. Madje ai i kishte formuluar pyetjet e testit për ekonomi. Këtë e konfirmon vetë ai.

“Unë kam qenë përpilues i testit me shkrim. Kontrollimin e testit e kemi bërë të gjithë anëtarët e komisionit së bashku. Lidhur më përzgjedhjen time si anëtar i komisionit, mua më ka ardhur vendimi si anëtar i komisionit. Vendimi ka ardhur prej drejtorit të shtëpisë së shëndetit”, thotë Musa Ibishi.

Por kryesuesi i Komisionit, Afrim Rexhepi, thotë se përfaqësuesi i Komunës është ftuar pasi që në përbërjen e Komisionit nuk kanë pasur ekonomist.

“Ne  në QKMF nuk kemi pasur asnjë person të diplomuar për ekonomi. Prandaj kemi kërkuar  nga Komuna të dërgojë një profesionist”, thotë Rexhepi.

Ky konkurs ishte monitoruar edhe nga Sindikata e QKMF-së. Në raportin e saj nuk është evidentuar ndonjë shkelje e theksuar.

Por këto dyshime për ndikim e habisin nënkryetarin e Komunës së Ferizajt, Xhavit Zariqi, emri i të cilit është lakuar në këtë proces. Ai thotë se edhe vajza e tij ka të drejtë të konkurrojë.

“Qytetari ose qytetarët nuk kanë të drejtë të merren me paragjykime dhe supozime me një konkurs dhe e kujt ose i kujt është personi që konkurron. Unë e di që numër i konsiderueshëm ka aplikuar në atë konkurs. Unë e di se të drejtat  janë të barabarta pavarësisht të kujt janë ata fëmijë, edhe vajza ime është e barabartë  me të gjithë të tjerët, ka të drejtë të konkurrojë  dhe të pranohet. Askujt nuk bën t’i mohohet e drejta pavarësisht se çfarë pozite mban”, tha Zariqi.

Pas publikimit të rezultateve të konkursit të rishpallur, në këtë pozitë u pranuar Vlora Zariqi, vajza e nënkryetarit të komunës së Ferizajt, Xhavit Zariqi, ashtu siç kishte dyshuar qytetari që kishte raportuar qysh në ditën e parë të konkursit.

Por Vlora Zariqi, vajza e nënkryetarit, e cila u pranua në këtë pozitë, pati pak fjalë për krejt këtë situatë.

“Ju keni qenë shumë herë dhe e keni parë se si ka shkuar puna e konkursit, që ka shkuar gjithçka në rregull, nuk ka pasur asgjë të keqe dhe nuk kam nevojë të merrem më shumë me këto sende”, thotë ajo.

Megjithatë, për ta vërtetuar gjithë këtë situatë, Kallxo.com ka kërkuar nga QKMF-ja qasje në dosjen e konkursit, por që deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.