Djali i Zyrtarit të Lartë Policor në Veri Arrestohet për Narkotikë

Andrija Bojiqit nga Mitrovica e Veriut i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.

Masë e njëjtë paraburgimi i është caktuar edhe Urosh Kragoviqit, po ashtu nga Mitrovica e Veriut, për shkak të dyshimeve se është përfshirë në aktivitete të njëjta sikur edhe Bojiq.

Seanca ndaj këtyre dy të dyshuarve përfundoi pak pas orës 21 në objektin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës në Vushtrri.

Njëri nga të dyshuarit, Andrija Bojiq, është djali i Zhelko Bojiqit, shef i Operativës së Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut të Mitrovicës.

Kur foli para kamerës së KALLXO.com, avokati Faruk Korenica nuk mundi ta konfirmojë nëse Andrija është djali i zyrtarit të lartë policor për rajonin e veriut.

Por ai konfirmoi këtë më vonë në një bidesë telefonike me KALLXO.com.

“Është e vërtetë se ka një interesim të madh të publikut për këtë rast për shkak se babai i klientit tim është Zhelko Bojiq, shef i operativës në regjionin e Mitrovicës”, ka thënë Faruk Korrenica.

“Vepra penale për të cilën dyshohet i pandehuri nuk ekziston por ekziston një vepër tjetër penale. Klienti im është konsumues i marijuanës dhe ai i ka ble dy ose tri qese me nga një gram për t’i konsumuar. Nuk ka pasur për qëllim që ato t’i shesë”, ka thënë avokati Korenica.

Ai u shpreh se pret që në të ardhmen prokuroria të bëjë ricilësimin e veprës ndërsa ka paralajmëruar ankesë në vendimin e gjykatës i cili është marrë sot.

Masën e paraburgimit e konfirmoi për KALLXO.com edhe Miodrag Brajkllaq, avokat mbrojtës i të dyshuarit tjetër, Urosh Kragoviq.

Bojiq dhe Kragoviq janë arrestuar të martën në Mitrovicën e Veriut.