Ilustrim

Dita e Kushtetutës në Urimet e Liderëve Shtetërorë të Kosovës

Në Ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 9 Prill, krerët më të lartë të shtetit kanë dërguar mesazhe urimi për qytetarët.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se Kushtetuta e Republikës së Kosovës u aprovua si domosdoshmëri e kohës e cila mundësoi krijimin e Kosovës së pavarur.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është Kushtetuta më moderne e këtij fillimshekulli, dokument që për synim ka avancimin e demokracisë e pluralizmit dhe mbrojtjen e qytetarit të Kosovës pa dallim etnie e feje, pa dallim gjinie e orientimi”, shkruan ndër të tjera Presidentja e llogarinë e saj në facebook.

Sipas Jahjagës, Kushtetuta e Kosovës shtrin sundimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës, si garancë e zhvillimit demokratik dhe  promovon barazinë e të gjithë qytetarëve.

Edhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi në facebook ka uruar qytetarët e Kosovës për Ditën e Kushtetutës.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës, një akt i shenjtë që e kemi dëshiruar shume. Sinonim i shtetit tone”, shkruan Mustafa.

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, Hashim Thaçi (PDK), në urimin e tij, po ashtu në facebook, tha  se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është akti më i lartë juridik i vendit, që ka mundësuar krijimin e themeleve për ndërtimin e një shteti funksional dhe demokratik.

“Ky dokument është përjetësim i luftës së popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe një shtet demokratik me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim etnie, feje apo gjinie. Një shtet që respekton diversitetin kulturor dhe fetar, si vlera të shoqërisë sonë, ku të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit, një vend që aspiron anëtarësimin në BE dhe NATO”, shkruan në urimin e Thaçit.

Për më tepër, 9 Prilli është Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila u miratua në këtë datë në vitin 2008, kurse hyri në fuqi me 15 Qershor të 2008. Më parë Kosova ishte duke qeverisur me një Kornize Kushtetuese të bazuar në Rezolutën 1244 që u kushtëzonte institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse kompetenca të rezervuara ndaj Përfaqësuesit Special të Kombeve të Bashkuara.