Besim KALLXO a e kalon RUBIKONIN !

Maj 01, 2014 – Pyetjet që po mbesin pa përgjigje për premtimin më pompoz që e ka dhënë dikush ndonjëherë në këtë Kosovën e pasluftës. “Fondi Zhvillimor/Investiv”. Bëhet fjalë për 1 miliard e gjysmë euro! Çka ka të fshihet?

Ministri i Financave, Besim Beqaj, e kishte konfirmuar pjesëmarrjen në debatin “Jeta në Kosovë”, i cili transmetohet të enjten në RTK nga ora 20:00. Aty ishte planifikuar t’i shtroheshin disa pyetje lidhur me detajet e atij që po quhet Fond për Zhvillim (apo Investiv?!), i promovuar me aq pompozitet nga kryeministri Hashim Thaçi.

Vetëm dy minuta para mbajtjes së debatit, zëdhënësi i tij dërgon një sms, ku kumtohet: “Ministri nuk mundet me ardh”.

Dhe, kjo nuk është hera e tij e parë. Njëjtë kishte vepruar edhe para rreth një muaji me “Rubikon-in”. Ndonëse kishte dakorduar pjesëmarrjen në emisionin që do të shfaqej më 19 mars në KTV, Beqaj, sërish nëpërmjet zëdhënësit, në çastet e fundit kishte anuluar pjesëmarrjen. Natyrisht, emisioni është mbajtur, por ministri i Financave nuk ishte aty për t’i dhënë shpjegimet aq të nevojshme për ato që të ftuarit e tjerë në studio i quanin“premtime pa mbulesë” dhe “rrezikim i së ardhmes së Kosovës”.

E, pra, po bëhet fjalë për premtimin më pompoz që e ka dhënë dikush ndonjëherë në këtë Kosovën e pasluftës. Bëhet fjalë për 1 miliardë e gjysmë euro! Ku, si, çka?

Si duket, porosia e kësaj qeverie është:

Po flas për njëfarë Fondi (Zhvillimor, ose Investiv, ta shohim çfarë do dalë), por s’dua t’ju tregoj për të!

Fond për Zhvillim – po, debat për zhvillim – jo!

Monolog, jo dialog!

Sigurisht, një foto e mirë bën, ndoshta një selfie për faqe të Facebookut, por jo debat i sinqertë e i hapur me ata që kanë pyetje legjitime për ta.

Po të ishte i pranishëm në debatet që u mbajtën edhe pa të, ministri Beqaj sigurisht do të detyrohej t’u përgjigjej drejtpërdrejt shumë pyetjeve dhe aq më shumë pikëpyetjeve që nxisin premtimet e Qeverisë së tij.

E para, nga cilat para do të mbushet “Fondi”? A është e vërtetë se synoni t’i merrni paratë nga Fondi i Privatizimit, apo edhe nga Trusti Pensional? Nëse sidomos kjo e fundit është e vërtetë, atëherë me çfarë të drejte merren paratë e kursyera në formë pensioni nga dikush, pa i pyetur ata, qoftë edhe me premtimin se kjo po bëhet për të mirën e tyre? A i bie kjo sikur t’i shtiesh duart në xhepat e tjetrit dhe të njëjtit t’i thuash se këtë po e bën për t’i blerë atij diçka të mirë? Në fakt, këto fonde janë premtuar edhe në mandatin e kaluar se do të hynë në funksion në ekonominë e Kosovës, por asgjë s’ka ndodhur. Pse do të jetë ndryshe tash?

Zyrtarë dhe diplomatë të huaj, duke përfshirë edhe ata amerikanë, shpesh na kanë thënë se bizneset nga vendet e tyre janë të kujdeshme me investimet e tyre në Kosovë për shkak të asaj që perceptohet si nivel i lartë i korrupsionit dhe implementim i dobët i sundimit të ligjit. A mund të kallxojë ministri Beqaj se çka do të bëjë qeveria e njëjtë në një mandat të tretë eventual e që s’e ka bërë deri më tash, në mënyrë që niveli i korrupsionit të ulet dhe të mos i frikësojë edhe investitorët e huaj?

Kallxoni si do të mund të zhvillohen e punësohen njerëzit në Kosovë me “Fond” jotransparent, nëse përvoja, jo vetëm e ambasadave të huajve, por investitorëve tanë entuziastë, tregon që i kemi larguar ata duke u siguruar që njerëzit e pushtetshëm të shtetit t’ua uzurpojnë pronat e jo që t’ua lehtësojnë biznesin?

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se që nga shpallja e pavarësisë më 2008, investimet e huaja vazhdimisht kanë rënë, duke u përgjysmuar vitin e kaluar për nga vlera milionëshe e tyre. Gjatë gjithë kësaj kohe keni qenë ju në pushtet. Kallxoni pse kjo rënie?

Mandati i dytë i kësaj qeverie u karakterizua me premtimin e realizimit të planit ambicioz për zhvillimin ekonomik, i njohur si “Plani Bansko” ku përfshihej privatizimi i PTK-së dhe nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” më 2014. As këto dy planifikime nuk u realizuan. Kallxoni pse dështuat?

Kallxoni pse të besojmë që premtimi ambicioz për punësimin e zhvillimin ekonomik që përfshihen në Fondin Zhvillimor do të realizohet në mandatin e tretë, nëse Thaçi e ministrat e tij jotranspartentë, si tipi i Beqajt, arrijnë t’i fitojnë zgjedhjet dhe përse kjo nuk u realizua për dy mandatet e deritashme?

Nëse gjithmonë shohim të thirreni në emër të ligjit, atëherë kallxoni ministër Beqaj se si ne në Kosovë kemi ligj për investimet e huaja që nga viti 2006, i cili u garanton investitorëve që ata dhe investimet e tyre do të mbrohen në pajtim të plotë me parimin e sundimit të ligjit, por prapë në gjykata kemi aq lëndë ku investitorët e huaj kërkojnë që t’u lirohen pronat nga ata që thonë se ua kanë uzurpuar?

Edhe një ish-ministre e PDK-së, Justina Shiroka – Pula, ka kallxu që vlera reale e aseteve dhe biznesit të rrjetit elektrik të cilin Beqaj e shiti për 26 milionë në këtë mandat, ishte dashur të shitej për 90 milionë euro.

Kallxoni, ministër Beqaj, bëjeni zemrën gur dhe provoni ta kaloni Rubikonin, nëse edhe kolegët tuaj po thonë që e keni falur distribucionin, përse të besojmë se e keni seriozisht me “Fondin”?

Besim Beqaj e filloi karrierën në këtë qeveri si ministër i Integrimeve Evopiane, kur në vitin 2010 na premtoi që do të kemi viza për Evropë brenda 15 muajve! Me çfarë kredibiliteti premton një ministër, ndoshta në fund të karierës së tij ministrore, “Fond” 1.5 miliardësh, në qoftë se nuk ia doli t’i përmbushë premtimet e tij tjera të shumta gjatë gjithë mandateve të deritashme?

Por, natyrisht, ju s’kallxoni, pasi që në momentet e fundit nuk i përmbushni premtimet, ashtu siç nuk u paraqitët, ndonëse premtuat, në “Rubikon” dhe në “Jeta në Kosovë”.

Sidoqoftë, nëse e keni për ngushëllim, ju sigurojmë se ju nuk jeni i vetmi. Ka edhe disa shefa tuaj, ose politikanë të tjerë me përvojë edhe më të gjatë se ju, të cilët shpesh i ikin ballafaqimit. P.sh. Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Hajredin Kuçi dhe të tjerët asnjëherë nuk kanë ardhur të ballafaqohen me njëri tjetrin në debate, në mënyrë që edhe popullata të shohë se si do të dalin ata përballë argumenteve dhe kundërargumenteve të konkurrentëve politikë. Ose, siç nuk po vjen në “Jeta në Kosovë” tash e 7 vjet Thaçi, ose Mustafa në “Rubikon” – në dy emisionet e çështjeve aktuale me rejtingun më të madh në Kosovë!

Ka edhe të tjerë. Lista e politikanëve që po tuten të KALLXOJNË dhe po frikësohen se s’mund ta kalojnë RUBIKONIN me premtimet e zotimet e tyre po shohim se po rritet. Në të njëjtën mënyrë siç po e shohim të zvogëlohet llogaridhënia para qytetarëve, atyre të cilëve po ua kërkojnë votën.

Tash, garën po e shpallim të hapur: Kush do t’i bashkohet listës jotranspartente?!