Analistët: Politikanët Dinë Pak Për Integrimet Evropiane

Qershor 06, 2014 – Analistët e integrimeve evropiane shprehen të shqetësuar se si njerëzit që debatojnë në integrimet e Kosovës në BE nuk i kanë as informacionet bazë për këtë proces. Ata gjatë vlerësimit se a ishte debat përnime ai për integrimet evropiane të Kosovës, u çuditën me dijen e pakët të politikanëve për integrimet. Sipas tyre kur politikanët dinë kaq pak për rrugën evropiane të vendit, populli mund të jetë edhe më i padijshëm në këtë aspekt.

Gjeraqina Tuhina, gazetare nga Brukseli, u shpreh e befasuar me informacionet aq të pakta të atyre që nesër ndoshta do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë proces.

“Kur bartësit e institucioneve kyçe shtetërore të Kosovës, ose nuk dinë, ose nuk dëshirojnë të tregojnë të vërtetën dhe informacionet e sakta në lidhje me procesin e integrimeve, atëherë nuk ka befasi përse opinioni ka aq pak informacione dhe aq pak di se ku në të vërtetë ne gjendemi në këtë proces”, tha Tuhina në vlerësimin e saj.

Besa Shahini nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet u çudit sidomos me ata që kanë drejtuar ministritë që merren me ecjen nëpër rrugën evropiane të Kosovës.

“Është problem se si njerëzit që kanë qeverisur në katër vjetët e fundit nuk janë në gjendje që ende të japin përgjigje të sakta për punën që e kanë kryer”, tha Shahini.

Ndërsa Tuhina në vlerësimin e saj se a ishte debat përnime ballafaqimi për integrimet, tha se nuk ka parë diskutim programesh.

“Unë nuk pashë aty program, nuk pashë informacion dhe nuk pashë fakte e argumente”, tha ajo.

Edhe Shahini vlerësoi debatin si një përplasje të ulët mes pjesëmarrësve.

“Ka pasur shumë shkëmbime personale dhe shpesh nuk kanë pasur fare të bëjnë me temën. E kam përshtypjen se aty kanë qenë për ta shpërqendruar vëmendjen e shikuesve”, tha Besa Shahini.

Gazetarja Tuhina tha se nuk janë thënë të vërteta të plota për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe qasjen e BE-së ndaj Kosovës.

“Kosova nuk trajtohet si shtet sovran, por trajtohet si entitet, e që ka qenë mendim legal i dhënë nga ekspertët e Brukselit, ku thonë se BE-ja mund të nënshkruajë një marrëveshje me Kosovën njëjtë sikur që e ka bërë me entitetet tjera”, shtoi Tuhina.

Ajo tha se premtimet për liberalizim vizash gjatë vitit të ardhshëm janë joreale.

“Premtimet për liberalizimin e vizave se do të vijnë gjatë vitit të ardhshëm, thjesht janë joserioze. Edhe nëse Kosova do t’i kishte të plotësuara të gjitha kushtet teknike, ekonomike dhe politike, momenti më i hershëm ndoshta do të ishte dhjetori i vitit 2016”, shpjegoi ajo.

Sa i përket liberalizimit të vizave, pothuajse të gjitha partitë politike dhanë premtime për datën se kur qytetarët do të udhëtojnë pa viza në BE, përderisa “Vetëvendosje” tha gjatë debatit se nuk kanë datë të saktë se kur do të kryhet ky proces.

Për Besa Shahinin, vetëm “Vetëvendosje” ia ka qëlluar me parashikimin e saj, pasi që kjo nuk varet nga partitë politike në pushtet, por nga politikat evropiane ndaj Kosovës.

Shahini në debat foli gjithashtu për numrin e njohjeve. Sipas saj, numri i njohjeve do duhej të ishte një informacion që jepet lehtë dhe fakti që nuk e kemi një informacion të tillë, tregon mosseriozitetin me të cilin kjo qeveri e ka marrë punën e vet në lidhje me marrëdhëniet me jashtë, duke përfshirë këtu edhe integrimet evropiane.

Vlerësimet e analistëve për debatet përnime po bëhen pasi këto debate po transmetohen në RTV21 dhe live në KALLXO.com.

Integrimet evropiane i analizuan Gjeraqina Tuhina e Besa Shahini.