“A Ka Mundësi Shkenca Mjekësore me Ma Kthy Djalin e Vdekur”

Të Enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, ka vazhduar rigjykimi, për vrasjen e Burim Kryeziut, i cili pas lëndimeve të marra më 2 gusht të vitit 2012, pas një përleshje në mes axhallarëve me djem dhe dajës në njërën anë, dhe familjes së Nuhi Kryeziut në anën tjetër, kishte gjetur vdekjen një javë pas ngjarjes në Spitalin e Prishtinës.

Në seancën e sotme, u dëgjua eksperti mjeko-ligjor, Naim Uka, ku pas pyetjeve të shumta të Kosovare Kelmendit, avokate e Enver Kryeziut, i mllefosur, reagoi prindi i viktimës, Nuhi Kryeziu.

Ai tha, se krejt këto pyetje që po i bëhen ekspertit për plagët që ka marrë djali i tij, i ka pa ditën kritike.

“Krejt këto fjalë çka u thanë sot, unë i kam pa me datë 02.08.2015”

Po ashtu, i emocionuar, ai kishte edhe një pyetje për ekspertin.

“A ka mundur me arritë shkenca që ai njeri që vdes, me ja shti shpirtin prapë”

Eksperti, mjeko ligjor deklaroi se kanë qenë dy grupe plagësh vdekjeprurëse për viktimën, të cilat i kanë shkaktuar vdekjen.

Fadil Shala, Enver e Artan Kryeziu, akuzohen për vrasjen e Burim Kryeziut, se me 2 gusht të vitit 2012, kanë goditur me mjete të forta, të ndjerin, në pjesët e kokës, duke i shkaktuar vdekjen.

Fadil Shala ishte shpallur fajtor për këtë vepër penale në shqyrtimin e parë dhe ishte dënuar me 15 vite burg, ndërsa vëllezërit Enver e Artan Kryeziu, me nga 12 vite burg.

Por gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rishqyrtim, ndërsa ndaj 12 akuzuarve tjerë, kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë. Seanca e ardhshme u caktua për datën 11 nëntor.