500 Bursa për Komunitetin RAE në Kosovë

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ndau 500 bursa studimore për fëmijë nga komuniteti RAE në Kosovë.

Gjithashtu, MASHT është zotuar që dhe në të ardhmen të përkrahë politika proaktive që asnjë fëmijë i këtyre komuniteteve të mos mbetet pa edukim.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, tha se ndarja e këtyre 500 bursave tregon që MASHT ka për prioritet që këta fëmijë t’i marrë nën kujdes dhe t’i integrojë si qytetarë të barabartë të Kosovës.

“Ju bëj thirrje të gjithë nxënësve që mos t’a ndalin shkollimin e tyre në shkollen e mesme, por t’i vazhdojnë studimet në universitet”, shtoi ai.

Krystyna Marty Lang, nga ambasada e Zvicrës në Kosovë, tha se është shumë e lumtur që më shumë se gjysma e bursave ju janë ndarë vajzave. Rreth 60% e bursave janë vajza kurse 40% djem.

Ruairi O’Connell, ambasador i Britanisë në Kosovë, tha se qeveria britanike është e lumtur që kontribuon në projekte që përmirësojnë jetën e këtyre komuniteteve dhe se momentalisht janë duke kontribuar në dy projekte që përkrahin arsimin e komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptas, në vlerë prej 65 mijë euro.

Ibrahim Berisha, përfitues i bursës tregoi se kriteret për përfitim e kësaj burse kanë qenë vërtetimi që është nxënës, dëshmia e suksesit në shkollë, dëshmia e komunitetit të cilit i përket dhe dëshmia nga Qendra për Punësim që prindërit i ka të papunë.

Kjo skemë e bursave për vitin shkollor 2015/16 do të vazhdojë dhe vitin e ardhshëm dhe është e mbështetur nga Fondi për Edukim Rom në Budapest, nga Ambasada Zvicerane në Kosovë, nga Ambasada Britanike në Kosovë dhe nga Ambasada Norvegjeze.