Përkujtohen dëshmorët Hyzri Talla, Afrim Maliqi e Ilir Durmishi

Në 20 vjetorin e rënies së dwshmorwve Hyzri Talla, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi është mbajtur akademi përkujtimore nën patronatin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Me këtë rast presidenti Thaçi vlerësoi lartë veprën e këtyre dëshmorëve duke thënë që falë tyre Kosova sot gëzon lirinë.

“ Para 20 vitesh Kosova humbi dy veprimtar të shquar dhe një intelektual të vyeshëm. Rezistenca civile artikulimin më të mirë e arriti përmes UÇK-së, ne ofenzivat e veta ajo u dëshmua një guerile e pathyeshme dhe e vendosur luftëtarët ishin bërë një pavarësisht sakrificës. Të gjitha të arriturat e Kosovës janë rezultat i lirisë prandaj sot me nderime të larta kujtojmë Hyzri, Afrimin, Ilirin”, tha Presidenti Thaçi.

Kryepalramentari Kadri Veseli tha se dhjetori mbahet mend si muaji ku Kosova ka humbur shumë atdhedashës.

“Dhjetori i 1998 ishte një muaj i rëndë për popullin tonë, ne ishim në rrugën e pakthyeshme të lirisë, në krye të detyrës në shërbim të atdheut në ato ditë dhjetori në humbëm shumë bashkëluftëtarë të dalluar dhimbja ishte e madhe por e madhe ishte edhe vendosmëria për të vazhduar luftën” tha ai.

Tutje Veseli tha se shndërrimi i FSK-së në ushtri e kompleton amanetin e të gjithë të rënëve për liri.

“Kujtimi për ta do të jetoj gjithmonë sepse gjithmonë do të jetoj liria dhe pavarësia e shtetit tonë, duke e ndjekur amanetin që ta ruajmë lirinë si sytë e ballit. Ky përvjetor na gjene para një hapi të transformimit të FSK-së në forca të armatosura të Kosovës, në këtë mënyrë ne përmbushim amanetin e dëshmorëve”, theksoi ai.

Ndërsa kryeministri, Ramush Haradinaj, tha se pa këta dëshmorë Kosova nuk do ta kishte gëzuar lirinë dhe pavarësinë.

“Nderimi për heronjtë që kanë bërë rrugë të gjatë në përpjekje të lirisë është nder për të gjithë ne. Rrugëtimi në rrugën e heronjve është me peshë nuk është i lehtë është sfidues. Pa këta burra pa këta dëshmorë nuk do të ishim këtu por edhe pa sfidat e të tashmes kështu që të qëndrojmë së bashku”, tha Haradinaj.