Foto: ZKM

Haradinaj kujton të rënët e fshatit Sllovi të Lipjanit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar dëshmorëve dhe martirëve të fshatit Sllovi të Komunës së Lipjanit.

Fillimisht, kryeministri Haradinaj, bëri homazhe te përmendorja e dëshmorëve dhe martirëve të këtij fshati.

Kryeministri Haradinaj tha se pa asnjë kriter civil, të pambrojturit e këtij fshati janë vrarë në shtëpitë e veta, në vendin e vet dhe kjo është e papranueshme, e padrejtë, është krim dhe si i tillë këtë s’mund ta mohojë askush.

“Është gabim i madh mohimi i krimeve edhe prej shtetit fqinj, prej zyrtarëve e udhëheqësve andej, por edhe gjithë të tjerëve”, tha kryeministri Haradinaj.

Haradinaj duke folur për statusin ligjor të familjeve të dëshmorëve e martirëve, por edhe të të pagjeturve, tha se ai duhet rregulluar, sepse ju takon në bazë të meritës, duke siguruar gjithashtu se do të veprohet në këtë drejtim.

“Kemi dalë prej tragjedisë, prej dhimbjes. Një pjesë të vështirësisë ia krijojmë vetes dhe një pjesë ende vazhdojnë të na krijojnë, ende vazhdojnë të na pengojnë në rrugën tonë drejt të drejtës sonë si Kosovë, që ajo të bëhet e barabartë me vendet tjera”, deklaroi kryeministri Haradinaj.

I pari i Qeverisë së Kosovës shtoi se nuk është lehtë të mbahet dhimbja gjithë këto vite nga këto nëna.

“Bijtë tuaj nuk janë vetëm tuajt. Ata që kanë rënë për liri janë të këtij populli dhe i gjithë populli i respekton. Lavdi e përjetshme!”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se kujtimi për dëshmorët dhe martirët, na shërben që të punojmë me këmbëngulësi e pastërti, me ndërgjegje për të ndërtuar të ardhmen tonë.

Një fjalë rasti, para të pranishmëve, mbajti edhe Naim Hyseni, në emër të familjeve të dëshmorëve, i cili kërkoi  drejtësi për krimet e kryera dhe vrasjet e më të dashurve të tyre.