Kujtohet veprimtari Enver Hadri në 29 vjetorin e vrasjes

Enver Hadri ishte  veprimtar dhe intelektual i cili dha shumë për lëvizjen për çlirimin dhe shtetësinë e Kosovës. Hadri e çoi zërin e saj deri te kancelaritë e BE-së, duke u bërë edhe ambasadori joformal i popullit të Kosovës.

Andaj në dekadën e dytë të pavarësisë kur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka devijuar në një kërkesë për shkëmbim territoresh, Enver Hadrit duhet marrë si shembull për të mos lejuar përsëritjen e historisë.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë fjalës së tij në akademinë përkujtimore për shënimin e 29 vjetorit të vrasjes së Enver Hadrit në Bruksel.

Akademia për Hadrin “Enver Hadri 1941-1990-  Ambasadori i parë i Kosovës”  që u mbajt sot pasdite në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, u organizua nga Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë dhe nën patronatin e  kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.

Duke folur me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka thënë se Enver Hadri ishte veprimtar dhe intelektual i cili dha shumë për lëvizjen për çlirimin dhe shtetësinë e Kosovës.

Haradinaj tha se Hadri ishte  ambasadori i parë joformal i Kosovës në zemër të Europës politike.

Andaj, sipas kryeministri,  kontributi dhe puna e Hadrit duhet marrë shembull për të mos lejuar përsëritjen e historisë, kur, siç ka thënë ai, 20 vjet pas pavarësisë dialogu për normalizimin e marrëdhënieve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është devijuar nga disa qarqe në Kosovë  e Bruksel duke u shndërruar në dialog për territore.

“Vendosmëria për të qëndruar në të drejtën e Kosovës së 17 shkurtit është rreshtim në anë e drejtë të historisë, po ashtu me veprimin e marrë për taksën për mallrat e Serbisë është veprim që pengon formalizmin e një ndarje. Kosova nuk jep tokë për njohje edhe nëse ky është çmimi. Kosova nuk ka nevojë për njohje nga Serbia”, ka pohuar kryeministri Haradinaj.

Për figurën e Enver Hadrit ka folur bashkëpunëtori i tij Reshat Sahitaj si dhe motra, Nediha Hadri.

Gjatë akademisë është shpërndarë edhe një libër me poezi  të Enver Hadrit.

Enver Hadri ishte ndër veprimtarët më të angazhuar për çështjen e shqiptarëve në Kosovës dhe pjesëve tjera të ish-Jugosllavisë, duke propaganduar në qarqet europiane të kohës.  Në bashkëpunim edhe me personalitete tjera të kohës kontribuoi për senzibilizimin e opinionit europian rreth së vërtetës për Kosovë. Ishte iniciatori dhe drejtues i Komitetit Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut me seli në Bruksel. U vra më 25 shkurt 1990, në Bruksel.