Homazhet për Jonuz Musliun

Bujanoc: Përkujtohet veprimtari Jonuz Musliu në përvjetorin e dytë të vdekjes

Mbahet akademia përkujtimore në dy vjetorin e vdekjes së Jonuz Musliut, ish-drejtuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB).

Ceremonia në të cilën morën pjesë mysafirë nga Kosova e Maqedonia, filloi me himinin kombëtar të Shqipërisë.

Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se veprimtari Musliu ishte një idealist i pashuar, që ishte angazhuar me gjithë qenien, me të vetmin qëllim avancimin dhe përmirësimin e të drejtave politike, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve.

“Për shkak të këtij përkushtimi heroik, Jonuz Musliu, nuk mund të kalonte pa u vënë në shënjestër të regjimit të Millosheviqit, në shënjestër të cenimit, burgimit e pengesave të një pas njëshme, përballë të cilave nuk u dorëzua asnjëherë”, tha Tahiri.

Tahiri, gjatë kësaj akademie tha se veprimtari Musliu, ishte i angazhuar kundër regjimit diktatorial të Millosheviqit, në aktivitete politike kudo dhe në secilën rrethanë kur shfaqej një shpresë për liri e barazi.

“Që në Referendumin e Marsit të vitit 1992, për të vazhduar pareshtur deri tek radhët e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, ku kulmoi si një ndër përfaqësuesit më të spikatur të saj.  Ai padyshim se ishte një prej njerëzve të dalluar të kauzës tonë kombëtare që e sfidoi regjimin e Millosheviqit deri në shembje”, u shpreh Tahiri.

Para të pranishmëve, ministri Tahiri tha se Kosova dhe Lugina kanë qenë i njëjti burim indentitar dhe këtë unitet sipas tij e kanë ruajtur e kultivuar veprimtarët si Jonuz Musliu.

Ndërsa kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi tha se Musliu ishte protagonist i shumë ndryshimeve.

“Transformimi nga një njëri i luftës, në një njeri të paqes dhe politikës i dha jehonë ndryshe Luginës së Preshevës”, u shpreh Kkryetari Kamberi.

Musliu ka lindur më 5 janar të vitit 1959 në Konçul të Bujanocit dhe ka vdekur më 18 janar të vitit 2018 gjatë trajtimit shëndetësor në Turqi.

Jonuzi ishte kryetar i Bujanocit për disa mandate.