Kuvendi i Kosovës - Foto: KALLXO.com

PDK e LDK replikojnë për këshilltarët e Kadri Veselit

Deputetja e PDK-së, Luljeta Veselaj Gutaj, gjatë diskutimit për Projekt-kodin Penal të Republikës së Kosovës, ka kërkuar që të futet edhe një pikë për shpifje dhe shtrembërime të qëllimshme.

Ajo ka marrë shembull diskutimin që Driton Selmanaj e kishte gjatë pikave jashtë rendit të ditës.

“Sot në Kuvend e patëm rastin e deputetit Selmanaj i cili gënjeu dhe manipuloi gjithë opinionin publik për kabinetin e kryetarit te Kuvendit për pagat e tyre. Deputetit po i pengon transparenca e Kuvendit. Prej ardhjes së Veselit në këtë Kuvend ka shumë transparencë. Kjo nuk ka ndodh më parë në kohën kur kuvendi është udhëhequr nga LDK-ja”, tha Gutaj Veselaj.

Sipas saj pagat e këshilltarëve nuk i ka caktuar kryetari Veseli por janë caktuar nga koha kur është udhëhequr Kuvendi nga LDK. Gjithashtu sipas saj numrin e këshilltarëve nuk e cakton kryetari i Kuvendit por e cakton Kryesia e Kuvendit.

“Kanë qenë edhe përfaqësuesit e juaj dhe nuk e kanë kundërshtuar”, tha ajo.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, i tha deputetes që të fokusohet në Kod.

“Ti mundesh me dhanë vërejtje, me Kodin merru të lutem”, tha ai.

Gjithashtu tha se e mbështet 100 për qind sa i përket shpifjeve.

E deputeti Driton Selmanaj u kundërpërgjigj duke thënë se deputetes ia ka shkruar dikush fjalimin.

“Po të reagonte në mëngjes ndoshta do ta merrte dikush seriozisht por ia ka shkruar dikush dhe ju ka thanë që na ka rëndu dikush me forcën e argumentit dhe duhet me ia thanë. Tash 20 herë ma përmendi emrin, veç le ta gjen kjo deputete listën e këshilltarëve që kryetari Veseli e ka, le ta gjen publike kudo dhe le të na ofrojnë neve. A e dini pse nuk i bëjnë publike, sepse ata po ndërrohen shpesh. Janë disa që vijnë ka tre muaj rrinë, shkojnë prapë, madje shkojnë edhe për qëllime arsimore edukative që shkruan diku”, tha Selmanaj.

Ai shtoi se këto dokumente i ka kërkuar zyrtarisht si deputet dhe se është detyruar t’i marrë në mënyra tjera.

“Është shumë e vërtetë që vendimi për rritjen e pagave kaq të mëdha të këshilltarëve nuk e ka marrë kryetari Veseli e ka marrë kryetari Daci por ai i ka pasur 2 këshilltarë e jo 15”, shtoi Selmanaj.

Gjatë diskutimit në pikën jashtë rendit të ditës, Selmanaj, kritikoi kabinetin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli për mostransparencë dhe shpenzime enorme të parasë publike gjatë vitit 2017.